Berisha kthehet nga SHBA: Ky është udhëtimi më ripërtëritës i jetës time. SHBA ka potencialin e jashtëzakonshëm për të na ndihmuar

Politikë | 2 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer sot në Shqipëri pas një vizite njëjavore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Konventën e Partisë Republikane në Teksas me ftesë të Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU) dhe Institutit të Lidershipit Amerikan.

Berisha e cilësoi këtë udhëtim si “më ripërtëritësin e jetës së tij”, duke e përshkruar konventën si “më madhështoren dhe më të bukurën” që kishte parë ndonjëherë.

Ai u ndal veçanërisht tek fjalimi i presidentit Donald Trump, për të cilin tha se mesazhet e tij për rrezikun komunist dhe narkotrafikun e drogës ishin të pakëndshme për qeverinë shqiptare.

Në prononcimin e tij në Rinas, Berisha veçoi takimet me diasporën shqiptare në SHBA si momentin më frymëzues të vizitës, duke e cilësuar atë sot shumë më të fuqishme ekonomikisht dhe politikisht.

Ai theksoi se diaspora ka luajtur gjithnjë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimet e Shqipërisë dhe në çlirimin e Kosovës.

Berisha deklaroi se dy temat kryesore të diskutimeve gjatë vizitës ishin “narkoshteti” dhe “farsa elektorale”, duke shtuar se SHBA ka potencialin e jashtëzakonshëm për të ndihmuar Shqipërinë në garantimin e proceseve zgjedhore dhe në luftën kundër trafikut të drogës.

Ky udhëtim, sipas tij, përfaqëson një “ripërtëritje” politike dhe personale, duke e lidhur me rolin e diasporës dhe mbështetjen e administratës amerikane në momentet kyçe të historisë së opozitës shqiptare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme