Viti i ri shkollor, Drejtori i Policisë Hita: Për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, u ka përcjellë një mesazh urimi nxënësve, mësuesve dhe prindërve.
Në mesazhin e tij, Hita thekson rëndësinë e sigurisë së nxënësve dhe angazhimin e Policisë së Shtetit për të garantuar një mjedis të sigurt gjatë vitit të ri shkollor.
Drejtori i Përgjithshëm nënvizon se nisja e vitit shkollor shoqërohet me një përgjegjësi edhe më të madhe për Policinë e Shtetit.
Në vijim, ai u bën thirrje nxënësve të mos heshtin përballë shqetësimeve apo problematikave që mund të hasin dhe të kërkojnë ndihmë.
“Të dashur nxënës, të nderuar mësues dhe prindër,
Çdo fillim viti shkollor sjell një energji të veçantë.Oborret e shkollave mbushen sërish me fëmijë e të rinj, me emocionet e takimeve, me pritshmëri dhe me ëndrra të reja, ndërsa për prindërit interesimi për sigurinë dhe rezultatet në mësime.
Sot, për nxënësit nis një tjetër rrugëtim drejt dijes, ndërsa për ne, Policinë e Shtetit, nis një përgjegjësi edhe më e madhe: të kujdesemi që ky rrugëtim të jetë i sigurt, sepse për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis dhe nuk pushojmë.
Nëse diçka ju shqetëson, flisni, sepse zëri juaj ka shumë rëndësi për ne.
Na priftë e mbara dhe paçi një vit shkollor të suksesshëm e të sigurt!”, shkruan Hita.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




