“Data Science” në Universitetin “Fan Noli”, programi i Inteligjencës Artificiale
Aplikimet për raundin e dytë të regjistrimeve në universitet do të kryhen prej datës 15 deri më 17 shtator. Në këto data duhet të aplikojnë të gjithë maturantët dhe të interesuarit e tjerë të cilët nuk arritën të regjistroheshin gjatë raundit të parë.
Universiteti Fan Noli në Korçë vjen me një ofertë të pasur akademike si dhe me programe të reja studimi që përputhen me tregun e punës siç është edhe programi “Data Science”, ku ende ka kuota të lira për maturantët.
“Doja t’u bëja një thirrje të gjithë maturantëve të cilët ende nuk janë regjistruar, që të regjistrohen në programet e studimit që ofron Universiteti „Fan S. Noli“, pasi kemi një larmishmëri programesh dhe, gjithashtu, programe të reja.
Një prej tyre është programi Bachelor në Data Science, i cili është një program multidisiplinor. Ai është përqendruar kryesisht në përdorimet e inteligjencës artificiale në fusha të ndryshme, por ndërthur edhe aplikimet dhe analizimin e të dhënave, si dhe shumë elemente të tjera.
Për sa i përket programeve të reja, këtë vit kemi programe të reja në të tre ciklet e studimit. Kemi programin Bachelor në Data Science, programin Master Shkencor në „Turizmi dhe Zhvillimi Rajonal“, si dhe programin e doktoraturës, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Timarës në Bullgari, „Studimet Gjyqësore dhe Etnokulturore në Rajonin e Ballkanit“, u shpreh Prof. As. Dr. Lorena Zeqo, Zv/Rektore për anën mësimore.
“Data Science” është një program i cili ka ardhur pikërisht për të afruar të rinjtë me tregun e punës dhe me të ardhmen që është inteligjenca artificiale.
“Ne jetojmë sot në shekullin e të dhënave, ku çdo ditë përpunohet një sasi shumë e konsiderueshme të dhënash. Ideja është se këto të dhëna duhet të merren, të përpunohen dhe të analizohen, dhe pikërisht këtu qëndron roli i Data Science, e cila është një fushë moderne që kombinon statistikën, përpunimin e të dhënave, programimin dhe inteligjencën artificiale.
Baza e kësaj fushe është pikërisht kjo. Çfarë bën kjo degë? Pikërisht këtë do të bëjnë të gjithë ata që do të diplomohen më tej në Data Science: do të marrin të dhëna, do t’i përpunojnë dhe do të arrijnë të krijojnë modele dhe analiza, të nxjerrin rekomandime dhe, pse jo, të krijojnë edhe një sistem inteligjent për nxjerrjen e rezultateve dhe marrjen e vendimeve, jo thjesht bazuar në intuitë, por në fakte reale”, tha Klodiana Dhëmbi, Pedagoge e Departamentit Matematikë – Fizikë.
Regjistrimet për raundin e dytë do të kryhen nga 25 shtatori e deri më 4 tetor.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




