Pagat e magjistratëve, Gogu: Vonesa e Kuvendit s’duhet të krijojë përplasje të pushteteve

Aktualitet | 2 muaj më parë

Debati për pagat e magjistratëve ka vijuar edhe këtë të marte në komisione parlamentare. Në Komisionin e Ligjeve, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, pranoi vonesën e Kuvendit në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por tha se kjo nuk duhet të kthehet në përplasje mes pushteteve. Sipas Gogut, formula e pagave duhet të përcaktohet me ligj nga Kuvendi.

“Unë nuk besoj që vonesa e Kuvendit duhet të krijojë gabimin e përplasjes së pushteteve. Kush duhet të vendosë për formulën e pagës dhe çdo pagë, jo vetëm të magjistratit, por të çdo page në Republikën e Shqipërisë? Dhe këtë nuk e thotë as Toni Gogu, as ekzekutivi, as kryeministri i vendit. Këtë e thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe thotë: e vendos Kuvendi dhe e vendos me ligj”, u shpreh Gogu.

Ministri theksoi gjithashtu nevojën për të ruajtur ekuilibrin mes pavarësisë dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë.

“Pavarësia pa llogaridhënie rrëshqet drejt papërgjegjshmërisë”, tha ai.

Ndërkohë, opozita kërkoi zhvillimin e një seance dëgjimore me institucionet dhe organizatat përfaqësuese të sistemit të drejtësisë, lidhur me situatën e krijuar për pagat e magjistratëve.

“Ky komision kur të marrë vendim ë të ketë dëgjuar qëndrimin e tyre. Parlamenti nuk duhet të përsërisë të njëjtën situatë”, tha Ogert Bylykbashi.

Ndërsa në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po cenon vendimin e Kushtetueses. Ai kërkoi miratimin sa më të shpejtë të ligjit, por kritikoi rritjen e propozuar nga socialistët.

“Dhe ne vijmë sot me një propozim të kolegëve, që jo vetëm nuk reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por praktikisht tallet, për të tretën herë, me një propozim që shkel Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, tha Bardhi.

Projektligji parashikon që paga referuese e magjistratëve të rritet nga 36 në 38% të pagës së Presidentit, me rreth 8 mijë e 500 lekë. KLGJ dhe KLP kanë kërkuar një rritje rreth 80 mijë lekë.

Ligji pritet të votohet në seancën e 17 shtatorit

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme