Pagat e gjyqtarëve, drafti i PS merr “OK” në Komisionin e Ligjeve. Gjyqtarët dhe prokurorët kundër propozimit të mazhorancës

Aktualitet | 2 muaj më parë

Pas rreth 6 orësh debatesh, Komisioni i Ligjeve miratoi me votat e mazhorancës projektligjin e Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve. Drafti mori 8 vota pro të socialistëve dhe 3 kundër dhe tashmë i kalon seancës plenare, ku pritet të votohet më 17 shtator.

Projektligji parashikon që paga referuese bazë e magjistratëve të rritet nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës. Sipas përllogaritjeve të paraqitura, kjo do të sillte një rritje prej rreth 8 mijë e 500 lekësh.

Por formula e propozuar nga mazhoranca u kundërshtua nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, të cilët kërkojnë një rritje dukshëm më të lartë. KLGJ dhe KLP kanë kërkuar një rritje prej rreth 80 mijë lekësh, shumë më e lartë se rritja prej rreth 8 mijë e 500 lekësh që parashikon drafti i PS.

Në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë argumentuan se koeficienti i ri nuk garanton zbatimin e standardit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, tha se rritja e parashikuar është minimale dhe nuk reflekton standardin e vendosur nga Kushtetuesja. Sipas saj, ndryshimi i sistemit të pagave duhet të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, dhe jo të jetë vetëm një ndërhyrje formale për zbatimin e vendimit gjyqësor.

Edhe Gjykata e Lartë kundërshtoi formulën e propozuar. Zv.kryetari Ilir Panda tha se ndërhyrja me ligj është e nevojshme, por Kuvendi duhet të sigurohet se formula e zgjedhur përmbush standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

“Çështja nuk është nëse Kuvendi duhet të ndërhyjë, por nëse zgjidhja e propozuar realizon standardet detyruese që lindin nga vendimi i Kushtetueses”, deklaroi Panda.

Nga ana e mazhorancës, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, pranoi se Kuvendi është vonuar në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por tha se kjo nuk duhet të kthehet në përplasje mes pushteteve. Gogu këmbënguli se përcaktimi i formulës së pagave i takon Kuvendit dhe duhet të bëhet përmes ligjit.

Nga ana tjetër opozita kërkoi që përpara miratimit të projektligjit të zhvillohej një seancë dëgjimore me institucionet dhe organizatat përfaqësuese të sistemit të drejtësisë.

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, tha se Parlamenti duhet të dëgjojë qëndrimin e institucioneve përpara se të marrë vendimin përfundimtar.

Pas miratimit në komisione, projektligji për pagat e magjistratëve pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 17 shtatorit, ku kërkohen 84 vota për miratimin e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme