Nesër vendimi për ish-krerët e UÇK-së, deputetja e Kosovës flet për RTSH-në nga Haga: Besoj te triumfi i drejtësisë. Vlerësoj zërin e Shqipërisë në këtë çështje
Në Hagë, në prag të shpalljes së verdiktit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, shprehu besimin se procesi gjyqësor do të përfundojë me një vendim në favor të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në një prononcim për RTSH nga Haga për gazetaren Jonida Omeri, Deliu-Kodra tha se shpreson që tubimi i sotëm të jetë ndër të fundit që shqiptarët zhvillojnë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
“Uroj që të jetë ndër tubimet e fundit që ne si shqiptarë mbajmë këtu në Hagë, sepse ky ka qenë një proces shumë i gjatë. Ka qenë një proces i rëndë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë familjarët e ish-krerëve të UÇK-së. Presim që nesër të triumfojë drejtësia dhe verdikti të jetë i fitores së popullit shqiptar dhe luftës së drejtë të UÇK-së”, u shpreh ajo.
Deliu-Kodra e cilësoi procesin si jashtëzakonisht të rëndë dhe me pasoja të mëdha për ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre. Ajo tha se beson te drejtësia dhe argumentoi se UÇK-ja zhvilloi një luftë mbrojtëse për lirinë e Kosovës.
“Unë jam e bindur në triumfin e drejtësisë së Kosovës. Procesi ka qenë jashtëzakonisht i rëndë, me peshë shumë të madhe për ata që kishin ende barrën e UÇK-së. UÇK-ja nuk ka bërë masakra e gjenocid. Ne nuk kemi shkuar në Beograd për të sulmuar, por kemi bërë luftë mbrojtëse për popullin tonë dhe për të fituar lirinë”, tha deputetja.
Deputetja e PDK-së vlerësoi gjithashtu mbështetjen e dhënë nga Shqipëria gjatë procesit, duke veçuar qëndrimet e kryeministrit Edi Rama.
“Nuk mund ta mohoj mbështetjen që ka dhënë kryeministri i Shqipërisë, sepse Kosova ka pasur nevojë për një zë të fuqishëm dhe kryeministri Rama e ka dëshmuar kudo që ka pasur mundësi të paraqitet, në mbështetje të luftës së UÇK-së. Beteja e Serbisë ka qenë shumëdimensionale për të rrëzuar të drejtën tonë, por ajo që ka bërë diplomacia shqiptare dhe partnerët e aleatët tanë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në betejën tonë për drejtësi”, tha ajo.
Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator në Gjykatën Speciale në Hagë. Sipas Deliu-Kodrës, vendimi do të ketë rëndësi edhe për të ardhmen e Kosovës.
“Vendimi i nesërm ka peshë jo vetëm për të shkuarën, por edhe për të përcaktuar të ardhmen e një populli të tërë. Shpresoj që nesër të marrë fund kjo vuajtje e rëndë e ish-krerëve të UÇK-së dhe besoj se nesër do të kthehemi të gjithë bashkë në Kosovë”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




