“Reforma e RTSH-së po ecën me mbështetjen e EBU-së” Hoxholli: Digjitalizimi i arkivës kërkon mbështetje financiare nga Kuvendi

Televizion | 2 orë më parë

Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Fatjon Hoxholli, ka folur gjatë mbledhjes së përbashkët të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua reforma e RTSH-së, procesi i transformimit institucional të transmetuesit publik dhe bashkëpunimi me Bashkimin Evropian të Radio Televizioneve (EBU).

Në fjalën e tij, Hoxholli falënderoi përfaqësuesen e EBU-së, Radka Betcheva, duke theksuar se “prej më shumë se një viti ata kanë qenë pranë nesh gjatë gjithë procesit për të bërë një reformim që tejkalon institucionin e RTSH nga e shkuara drejt një momenti më të qëndrueshëm”.

Ai u ndal edhe te roli i Këshillit Drejtues për digjitalizimin e arkivës, duke kërkuar mbështetje financiare nga komisionet parlamentare.

“Rolin kryesor Këshilli e ka të kërkojë nga ju që ta mbështesni me instrumenta financiarë për të realizuar këtë projekt. Nuk mendoj se ne kemi më shumë fuqinë për të bërë presion sikundër keni ju si Komision përsa i përket të ardhurave buxhetore që mund të vijnë nga RTSH”.

Hoxholli shtoi se procesi nuk është i izoluar, pasi RTSH po bashkëpunon me disa organizata ndërkombëtare për të bërë një vlerësim të plotë mbi nevojat teknike, financiare dhe teknologjike të digjitalizimit.

“Jemi besimplotë se jemi duke bërë një proces të mirë për ta çuar përpara këtë proces digjitalizimi. Çdo suport që do të vinte nga buxheti, që shumë shpejt do ta kërkojmë këtu, do ta përshpejtonte këtë proces”, tha ai.

Duke folur për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Drejtues, Hoxholli vuri në dukje se prej një viti e gjysmë një skuadër prej 11 profesionistësh ka punuar me përkushtim dhe se vendimet janë marrë me konsensus të gjerë.

“Në 97% të vendimeve janë marrë me mbi 90% të votave të anëtarëve, gjë që tregon se asgjë nuk merret me ‘blloqe politike’, sikurse ju i quani, por për ne nuk janë të tilla. Deri tani çdo gjë ka shkuar shumë mirë në Këshillin Drejtues”, u shpreh ai.

Në përfundim, Hoxholli kërkoi mbështetjen e komisioneve parlamentare për të ruajtur ekuilibrin e arritur brenda Këshillit Drejtues dhe për të mos e cenuar procesin e reformës së RTSH-së. “Do doja të kërkoja mbështetjen tuaj për të na ndihmuar që të mos e cënojmë këtë lloj ekuilibri që kemi gjetur brenda Këshillit Drejtues”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme