Brazili miraton ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë, akuzohet për trafikimin e 250 kg kokainë në kuadër të grupit kriminal

Aktualitet | 1 orë më parë

Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka dhënë dritën jeshile për ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë. Vendimi i hap rrugë kthimit të tij në vend, ku kërkohet nga drejtësia shqiptare për trafik ndërkombëtar të drogës, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Gjykata braziliane ka vlerësuar se kërkesa e autoriteteve shqiptare plotëson kushtet ligjore dhe se veprat për të cilat akuzohet Mata janë të parashikuara si vepra penale edhe në Brazil.

Ervin Mata u arrestua në prill në Ilha Bela, ndërsa sipas autoriteteve përdorte dokumente angleze për t’iu shmangur identifikimit. Ai ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2023.

SPAK e kishte shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal me 11 persona, ku përfshihej edhe Erzen Breçani. Sipas dosjes hetimore, grupi dyshohet për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.

Mata akuzohet se ka koordinuar trafikimin e 250 kilogramëve kokainë, me ngarkesën që dyshohet se u nis nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani, në shtator të vitit 2020.

GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe vepra të kryera nga organizata kriminale.

Emri i Ervin Matës është bërë i njohur edhe pas përplasjes së vitit 2018 me Ervis Martinajn në një lokal në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme