“Heronj kombëtarë”/ BBC dhe CNN raportojnë për aktgjykimin ndaj drejtuesve të UÇK-së

Aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i kanë kushtuar vëmendje edhe mediat e mëdha ndërkombëtare .
BBC raportoi për dënimin e Hashim Thaçit, duke e përshkruar atë si bashkëthemelues dhe komandant të UÇK-së, i cili luftoi për pavarësinë e Kosovës. Në raportim theksohet se Thaçi konsiderohet hero në Kosovë, ndërsa përmendet edhe rrugëtimi i tij politik, nga një prej drejtuesve të UÇK-së te kryeministri i parë i Kosovës dhe më pas president i vendit.
BBC raportoi gjithashtu për reagimet në Kosovë pas shpalljes së aktgjykimit ku mijëra qytetarë e ndoqën vendimin në ekrane të mëdha, ndërsa në Prishtinë u raportua për reagime emocionale dhe qytetarë në lot.
Edhe CNN raportoi për vendimin, duke theksuar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte. Mediumi amerikan vë në dukje se Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit në vitin 2020 për t’u përballur me akuzat. Ai u gjykua së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të gjithë ish-drejtues të UÇK-së. Prokuroria kishte kërkuar dënime deri në 45 vjet burgim, ndërsa të katër të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.
CNN thekson gjithashtu se në Kosovë, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi konsiderohen gjerësisht si heronj kombëtarë dhe se mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të tyre.
Në raportimin e tij, CNN rikujton edhe luftën e Kosovës, e cila zgjati gjatë viteve 1998–1999, duke theksuar se gjatë konfliktit humbën jetën rreth 13 mijë njerëz, shumica shqiptarë të Kosovës.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim, ndërsa ish-kryeparlamentari dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, është dënuar gjithashtu me 25 vjet burgim. Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




