Franca rikonfirmon mbështetjen për Kosovën pas aktgjykimit të Speciales

Kosovë | 1 orë më parë

Franca ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për pavarësinë dhe institucionet e Kosovës, pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se ka marrë në dijeni vendimin e dhënë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, duke rikujtuar njëkohësisht se palët kanë të drejtë ankese.

“Ky vendim, i cili mund të apelohet, shënon përfundimin e proceseve të shkallës së parë para Dhomave të Specializuara, me përjashtim të rasteve që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e publikuar në uebfaqen e Ministrisë së Jashtme franceze.

Parisi zyrtar ka ritheksuar mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës, si dhe angazhimin e Francës në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

“Franca përsërit mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rikujton angazhimin në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Ajo gjithashtu rikonfirmon mbështetjen e palëkundur për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”, thuhet më tej në deklaratë.

Reagimi i Francës vjen pas vendimit të trupit gjykues, i cili i shpalli fajtorë katër ish-krerët e UÇK-së për krimet e luftës që lidhen me arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet. Mbrojtja e të dënuarve ka bërë të ditur se do ta dërgojë çështjen në Apel.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme