“Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Ibrahimaj: Mbi 1,700 biznese kanë shprehur interes, 720 në trajtim

Aktualitet | 2 orë më parë

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka vënë në funksion platformën e re, tërësisht të automatizuar, në mbështetje të bizneseve të vogla dhe të mesme që duan të aplikojnë në programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se platforma është ndërtuar për t’ia lehtësuar biznesit procesin e aplikimit dhe për ta asistuar atë në çdo hap, nga shprehja e interesit deri në përgatitjen për aplikimin pranë bankës.

Përmes portalit e-Albania, çdo biznes i interesuar mund të kërkojë shërbimin “Shprehje interesi për ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’” dhe të nisë procesin online. Në fazën fillestare, biznesi plotëson të dhënat e kërkuara, përfshirë NIPT-in dhe konceptin ose idenë e investimit që synon të realizojë.

Platforma i mundëson biznesit të ndjekë në çdo fazë statusin e aplikimit dhe vendimmarrjen përkatëse”, bëri të ditur ministrja.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit asiston biznesin në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, me synim që, në momentin e paraqitjes pranë bankës, ai të ketë informacionin e plotë dhe një vlerësim paraprak për aplikimin për kredi.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se interesi për programin ka qenë i lartë që prej hapjes së tij.

Më shumë se 1700 biznese kanë shprehur interes, ndërsa 720 prej tyre janë aktualisht në proces trajtimi nga ekipi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit”, informoi ministrja.

Sipas të dhënave të mbledhura nga bizneset, kërkesa lidhet kryesisht me zgjerimin dhe modernizimin e aktivitetit. 57% e bizneseve që kanë shprehur interes synojnë të zgjerojnë aktivitetin, ndërsa 21% planifikojnë të investojnë në makineri dhe pajisje.

Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të përmirësojë aksesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në financim, përmes garancisë sovrane të shtetit për kredi deri në 2 milionë euro, me afat maturimi deri në 10 vjet.

Platforma e re e vendos këtë mbështetje në një proces të integruar online, duke i dhënë biznesit mundësinë të aplikojë, të ndjekë ecurinë e kërkesës së tij dhe të marrë asistencën e nevojshme përgjatë procesit.

Si aplikohet?

Hyni në portalin e-Albania;

Kërkoni shërbimin “Shprehje interesi për “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde””;

Plotësoni të dhënat e kërkuara për biznesin dhe investimin e planifikuar;

Ndiqni online statusin e aplikimit dhe ecurinë e procesit.

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të krijojë më shumë mundësi për bizneset shqiptare që duan të investojnë, të zgjerojnë aktivitetin dhe të rrisin kapacitetet e tyre, ndërsa platforma e re lehtëson aksesin e tyre në këtë instrument financimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme