Nations League/ Trajneri Maran shpall të shtunën listën për 4 ndeshjet e ardhshme

Kombëtarja | 1 orë më parë

Kombëtarja shqiptare do të nisë këtë fundjavë përgatitjet për ndeshjet e UEFA Nations League, me kuqezinjtë që do të kenë një kalendar të ngjeshur gjatë muajve shtator dhe tetor, me katër sfida në program.

Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, do të shpallë të shtunën, më 19 shtator, në orën 11:00 në Shtëpinë e Futbollit, listën e lojtarëve të grumbulluar për këto përballje. Shpalljen e listës, tekniku italian do ta bëjë gjatë konferencës për media, ku do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe do të komentojë zgjedhjet e tij për sfidat e radhës.

Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Bjellorusinë në shtëpi, më 26 shtator, ndërsa tre ditë më pas do të udhëtojnë drejt San Marinos për ndeshjen e 29 shtatorit.

Më pas, Kombëtarja do të luajë në transfertë ndaj Finlandës më 3 tetor, përpara se të rikthehet në shtëpi për sfidën e dytë ndaj San Marinos, më 6 tetor.

Grumbullimi i skuadrës do të nisë të hënën, kur lojtarët e ftuar do të bashkohen me ekipin dhe do të zhvillojnë pasditen e po asaj dite seancën e parë stërvitore në Shtëpinë e Futbollit.

Katër ndeshjet e shtatorit dhe tetorit do të jenë një tjetër etapë e rëndësishme për Kombëtaren shqiptare, që synon të vijojë rrugëtimin në UEFA Nations League me përgatitje maksimale dhe përkushtim në çdo sfidë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme