Trump paralajmëron vendim të rëndësishëm për Iranin, Teherani vijon sulmet ndaj anijeve në Hormuz
Kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump paralajmëroi se po i afrohet një kthese kritike në luftën me Iranin , lidhur me faktin nëse duhet të rifillojë sulmet masive në një përpjekje për ta mbyllur konfliktin me Republikën Islamike.
“Më duhet të marr një vendim të rëndësishëm për Iranin”- deklaroi ai për portalin e lajmeve “Axios”. “A dua t’i sulmoj dhe t’i shkatërroj ata apo jo? Është një vendim i madh. Gjithçka mund të ndodhë”- u shpreh Trump.
Edhe pse Trump ka bërë kërcënime të ngjashme më parë, komentet e tij vijnë përpara një takimi të planifikuar të martën e ardhshme me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Gjirit – Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini, Kuvajti dhe Omani, gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Lidhur me këtë takim një surprizë ka ardhur nga SHBA, e cila ka lejuar presidentin e Iranit Mahsud Pezeshkian që të marrë pjesë në takimin e përvitshëm që mbledh liderët e mbarë botës në OKB-së, por lëvizjet e delegacionit iranian do të jetë të kufizuara.
Ndërkohë që tensionet mes dy vendeve vijojnë të intensifikohen në Ngushticën e Hormuzit, Garda Revolucionare Islamike njoftoi se goditi një cisternë nafte me flamur të Togos, gjatë një sulmi që e cilësoi si përpjekje të paligjshme të mjetit ujor për të kaluar në rrugën jetike globale për transportin e naftës.
Marina e Gardës paralajmëroi se kalimi i paautorizuar nëpër ngushticë do të rezultonte në shkatërrimin e çdo anijeje që shkelte rregullat e vendosura nga Irani. Republika Islamike ka marrë kontrollin mbi rrugën ujore që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën luftën më 28 shkurt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




