Marrëveshje sigurie për Groenlandën, dokumenti SHBA-Danimarkë do të nënshkrujnë paktin në Asamblenë e OKB

Botë | 1 orë më parë

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje me Danimarkën dhe Groenlandën për sigurinë e ishullit arktik.

Sipas tij,  marrëveshja i jep Shteteve të Bashkuara kontroll të përhershëm mbi sigurinë e Groenlandës dhe i garanton Uashingtonit të drejtën të ndërmarrë çdo masë që e konsideron të nevojshme për mbrojtjen e territorit gjysmë autonom  danez.

Përmes një postimi në rrjetin social Truth, kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të nisin menjëherë përgatitjet për zgjerimin e pranisë së tyre ushtarake në Groenlandë. Teksti i marrëveshjes ende nuk është publikuar, por Trump tha se pakti nuk sjell kosto për Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se asnjë kundërshtar i SHBA-së nuk do të mund të vendosë baza apo trupa ushtarake në ishull, apo të kryejë investime strategjike atje, pa miratimin e Uashingtonit.

Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen, tha se ishte e kënaqur që ekziston një perspektivë për një marrëveshje të mirë për të tre palët, e cila pritej të nënshkruhej në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme.

“Marrëveshja forcon sigurinë tonë të përbashkët në Arktik dhe në zonën e Atlantikut të Veriut, ndërkohë që njeh gjithashtu sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës dhe të drejtën e popullit të Groenlandës për vetëvendosje”- thuhet në një deklaratë të përbashkët të saj me kryeministrin e Groenlandës.

Vetë Jens-Frederik Nielsen e cilësoi marrëveshjen si një hap që garanton dhe forcon sigurinë e Groenlandës, Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi marrëveshjen si “historike”, duke thënë se ajo adreson në mënyrë të përhershme shqetësimet e sigurisë së SHBA-së. Ende mbetet e paqartë ku ndryshon marrëveshja e re nga ajo e vitit 1951, e cila tashmë i jep SHBA-së të drejtën të dislokojë trupa në Groenlandë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme