Ulet çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare, reagimi erdhi pasi Irani tha se mund të rihapë Ngushticën e Hormuzit
Të martën, nafta e papërpunuar Brent ra nën 99 dollarë për fuçi duke pësuar një rënie me 1,4 për qind krahasuar me një ditë më parë, ndërsa nafta amerikane ra në 93,20 dollarë për fuçi. Rënia erdhi pasi mediat ndërkombëtare raportuan se Irani ka propozuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda shtatë ditësh, nëse Shtetet e Bashkuara lehtësojnë presionin ushtarak dhe heqin bllokadën ndaj porteve iraniane.
Lajmi u interpretua nga tregjet ndërkombëtare si një sinjal për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, veçanërisht në kohën që në Nju Jork po mbahet takimi vjetor i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku për herë të parë pas luftës ndaj Iranit, ndodhen në të njëjtin aktivitet presidenti amerikan Donald Trump dhe ai iranian Mahsud Pezeshkian.
Një zyrtar iranian tha për agjencinë Reutres se delegacioni iranian kishte autoritet të plotë për të rinisur bisedimet me palën amerikane, ndërsa deklaroi se nuk ishin planifikuar takime të drejtpërdrejta midis dy presidentëve. “Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është një mundësi e artë për SHBA-në që t’u rikthehet bisedimeve diplomatike”- theksoi ai, duke konfirmuar se Teherani i ka dërguar propozimin e tij të fundit Uashingtonit përmes ndërmjetësve më 16 shtator.
Lehtësimi në tregjet e naftës erdhi edhe pasi burime i thanë “Reuters” se Arabia Saudite kishte rinisur operacionet në tubacionin e saj Lindje-Perëndim dhe mund të rifillojë eksportet nga porti i Yanbusë në Detin e Kuq, i cili u mbyll pas sulmeve të 10 shtatorit për të cilat Riadi fajësoi aleatët iranianë në Irak.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



