“Mollë sherri” shenja blu/ SHBA krah Elon Musk, sfidon gjobën 120 mln euro të BE-së ndaj X

Qeveria amerikane ka ndërhyrë në betejën ligjore të Elon Musk kundër një gjobe prej 120 milionë eurosh të vendosur nga Bashkimi Evropian ndaj platformës X, duke kërkuar që sanksioni të rrëzohet.
Departamenti amerikan i Drejtësisë (DOJ) ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Përgjithshme të Bashkimit Evropian në mbështetje të përpjekjeve të Musk dhe kompanisë X për të pushuar çështjen.
Gjobën prej 120 milionë eurosh, Komisioni Evropian ia vendosi X në dhjetor 2025 për shkelje të detyrimeve të transparencës të parashikuara në Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA). Sipas Komisionit, shkeljet lidhen me mënyrën se si përdoret shenja blu e verifikimit, mungesën e transparencës në regjistrin e reklamave dhe kufizimin e aksesit të studiuesve në të dhënat publike të platformës.
Komisioni Evropian argumentoi se sistemi i shenjës blu mund të çorientojë përdoruesit, pasi statusi “verified” mund të blihet pa një verifikim të mjaftueshëm të identitetit të personit pas llogarisë. Sipas autoriteteve evropiane, kjo e bën më të vështirë vlerësimin e autenticitetit të llogarive dhe përmbajtjeve në platformë.
Ndërhyrja e SHBA-së në proces vjen përmes një aplikimi të Departamentit të Drejtësisë, i cili argumenton se Uashingtoni ka një interes të drejtpërdrejtë në mënyrën se si zbatohen rregullat evropiane ndaj kompanive amerikane.
Ndihmësprokurori i Përgjithshëm amerikan Brett A. Shumate tha të enjten se Komisioni Evropian kishte tentuar në mënyrë të papërshtatshme të zgjeronte kompetencat e tij ndaj kompanive amerikane që ndodhen jashtë juridiksionit të tij.
Sipas DOJ-së, SHBA-ja ka “një interes të qartë” për të garantuar që vendimet e Komisionit Evropian të zbatohen në përputhje me mënyrën se si kuptohet përgjithësisht juridiksioni territorial në të drejtën ndërkombëtare. Uashingtoni kërkon gjithashtu të shmangë pasoja që, sipas tij, mund të dëmtojnë shërbimet digjitale me seli në SHBA dhe me peshë të konsiderueshme për ekonominë amerikane.
Elon Musk, i cili ka mbështetur financiarisht Donald Trump dhe kandidatë të tjerë republikanë, ka kritikuar më herët rregullat evropiane për kompanitë e teknologjisë, duke pretenduar se ato pengojnë zhvillimin e tyre.
Edhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë kritikuar masën e BE-së ndaj X. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e kishte përshkruar gjobën si një sulm jo vetëm ndaj X, por edhe ndaj kompanive amerikane të teknologjisë dhe qytetarëve amerikanë. Reagimi i tij ishte rishpërndarë nga Musk, i cili kishte komentuar: “Absolutisht”.
Komisioni Evropian, nga ana tjetër, ka mohuar se rregullat e tij synojnë një kombësi të caktuar dhe ka deklaruar se qëllimi është zbatimi i standardeve digjitale dhe demokratike të BE-së.
Gjobitja e X në dhjetor 2025 ishte vendimi i parë zyrtar i Komisionit Evropian për mosrespektim të rregullave të DSA-së.
Që prej atëherë, X ka ndërmarrë hapa për të përmbushur kërkesat e BE-së. Në korrik 2026, Komisioni Evropian pranoi planin e veprimit të kompanisë për përmirësimin e transparencës së reklamave dhe aksesit të studiuesve në të dhënat publike, duke kërkuar që masat të zbatohen dhe të auditohen.
Ndërkohë, BE-ja vijon të shqyrtojë çështje të tjera që lidhen me platformën X, përfshirë ato që kanë të bëjnë me asistentin e integruar të inteligjencës artificiale, Grok.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




