Avokatët bojkotojnë masat e sigurisë, Topalli: Automatikisht të dyshuarit mund lirohen pas 48 orëve

Aktualitet | 2 orë më parë

Bojkoti i masave të sigurimit personal në Gjykatën e Posaçme erdhi për shkak të rregullores së re, por krejt e kundërta ndodh në Apelin e po kësaj gjykate.

“Një shkallë më e lartë se GjKKO-ja e Shkallës së Parë, Apeli. Vazhdojnë gjyqet krejt normalisht, qoftë për ne si avokatë, qoftë edhe për ju si media. Nuk ka një urdhër ose diçka të brendshme që ndalon futjen e celularëve”, u shpreh Topalli.

Anëtari i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë, thotë për RTSH se masa e sigurisë nëse nuk vlerësohet brenda 48 orëve nga gjykata, për këdo që mund të arrestohet, i ndaluari lirohet automatikisht, edhe pse është i dyshuar.

“Nuk mund të zhvillohet një seancë vlerësimi të masës së sigurimit, duke munguar një nga subjektet kryesore në gjykatë, që është avokati, organi i akuzës dhe gjyqtari. Çfarë mendohet të japë drejtësi në bazë të provave që ka prokurori, edhe mbi ato që bashkëngjit avokati?”, tha ai.

Sipas të dhënave, të hënën në këtë gjykatë nuk pati masa sigurimi, ndërkohë që të gjitha seancat gjyqësore të planifikuara u shtynë për shkak të bojkotit.

Sipas rregullores së re të GJKKO-së, edhe avokatëve u ndalohet mbajtja e celularit gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme