Incidenti pranë bazës ajrore në Britani, një fermere njoftoi autoritetet pasi pa tre furgonë të bardhë të dyshimtë, çfarë dihet

Një fermere lokale është kthyer në një prej personave kyç në hetimin për incidentin pranë bazës ajrore RAF Fairford në Britani, pasi ajo pa tre furgonë të bardhë që iu dukën të dyshimtë dhe njoftoi autoritetet.
Incidenti i rëndë u shpall pranë bazës rreth orës 00:45 të së dielës, pasi u raportua se tre automjete të dyshimta po lëviznin në drejtim të RAF Fairford. Sipas BBC, fermerja fillimisht telefonoi Ministrinë e Mbrojtjes pasi kishte vënë re tre furgonët, por nuk mori përgjigje. Më pas, rreth orës 01:36, ajo telefonoi numrin e emergjencës 999 për të raportuar atë që kishte parë. Fermerja po kthehej me makinë nga një festë kur pikasi furgonat e bardhë dhe burrat e maskuar;
Pas alarmit, pesë burra u arrestuan me dyshimin se po përgatitnin një akt terrorist. Ata vijojnë të jenë në paraburgim, ndërsa autoritetet britanike kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Ndërkohë, banorët e 85 banesave në fshatin Whelford, pranë bazës, u evakuuan dhe ende nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre.
Megjithatë, një sërë detajesh mbeten ende të paqarta. Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e pesë të arrestuarve, ndërsa nuk dihet nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe çfarë dyshohet se kishin planifikuar të bënin.
Gjithashtu, mbetet e paqartë se si autoritetet morën informacionin fillestar për lëvizjet e të dyshuarve. Fermerja beson se telefonata e saj mund të ketë vënë në lëvizje policinë, por presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se autoritetet amerikane i kishin monitoruar këta persona “për një kohë të gjatë”.
RAF Fairford është përdorur nga Forcat Ajrore të SHBA-së për nisjen e sulmeve ndaj Iranit, çka ka shtuar vëmendjen mbi incidentin pranë bazës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





