Ekspozitë për Tetorin Rozë/Të ardhurat nga shitja e punimeve shkojnë për gratë me kancer gjiri

Sociale | 2 orë më parë

Nxënësit e Shkollës Profesionale Teknike Korçë, drejtimi TIK, iu bashkuan fushatës së Tetorit Rozë me një ekspozitë me suvenire dhe produkte të realizuara prej tyre. Punimet u ekspozuan dhe u shitën në hollin e Bashkisë Korçë, me qëllim mbledhjen e fondeve për gratë që përballen me kancerin e gjirit.

Vetë nxënësit tregojnë për punimet që kanë realizuar për këtë ekspozitë.

“Ne kemi krijuar një sipërmarrje sociale në kuadër të Tetorit Rozë. Kemi krijuar pesë kompani, të cilat kanë prodhuar produktet e tyre dhe i kemi nxjerrë në shitje në panairin që kemi zhvilluar në shkollë, në institucione të tjera, ndërsa sot jemi në Bashkinë e Korçës. Të gjitha fitimet që do të mblidhen nga panairi do të shkojnë për vajzat dhe gratë e diagnostikuar me kancer të gjirit”, tha një nxënëse.

“Ne, për këtë ekspozitë, kemi krijuar disa korniza që përcjellin një mesazh për Tetorin Rozë. Gjithashtu, kemi krijuar edhe disa sende, si varëse çelësash apo punime të vogla, të prodhuara nga nxënësit e shkollës”, tha një nxënëse tjetër.

Nisma synoi të përcjellë një mesazh solidariteti dhe ndërgjegjësimi përmes kontributit të të rinjve, të cilët u bënë pjesë e kësaj kauze sociale me punimet e tyre. Ekspozita do të ndalet edhe në institucione të tjera përgjatë gjithë muajit tetor.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme