Në kërkim nga Spanja për vjedhje me dhunë, arrestohet 31-vjeçari në Muriqan

Një 31-vjeçar nga Mamurrasi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle për vjedhje me dhunë, është kapur nga Policia Kufitare në Muriqan. Ai është arrestuar përkohësisht me qëllim ekstradimin drejt Spanjës. Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi shqiptar me inicialet A. T., i njohur edhe me dy identitete të tjera, A. B. dhe A. C., u kap në dalje të Shqipërisë nga shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan.
Operacioni u realizua në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave të shpallur në kërkim, pas shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën. 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi, pasi Gjykata e Instruksionit nr. 4 në Sabadell të Spanjës, me vendim të datës 28 nëntor 2025, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Pas kapjes, ai iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të cilat kryen arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimin. Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët spanjollë, vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit drejt Spanjës, ku kërkohet nga autoritetet e drejtësisë.
Njoftimi i plotë
PKK Muriqan
Akuzohet në Spanjë, për vjedhje me dhunë, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 31-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë bërë të mundur kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në dalje të Shqipërisë, u kap shtetasi shqiptar A. T. alias A. B. alias A. C., 31 vjeç, banues në Mamurras.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi, pasi Gjykata e Instruksionit nr. 4, Sabadell, Spanjë, me vendimin e datës 28.11.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
31-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të DVP Lezhë, të cilat kryen arrestimin e tij të përkohshëm, me qëllim ekstradimin në Spanjë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, vijon procedurat për ekstradimin e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




