Piano dhe flaut në Lezhë, Synjona Paplekaj dhe Anxhela Hammad në koncert recital
Skena e Pallatit të Kulturës në Lezhë u kthye në një hapësirë muzikore. Tingujt e pianos dhe flautit sollën një mbrëmje të veçantë për publikun, në recitalin e dy artisteve, Synjona Paplekaj dhe Anxhela Hammad.
Përmes veprave të kompozitorëve të njohur si Albeniz, Bartok, Poulenc, Fauré e Telemann përcollën tek publiku një repertor që udhëtoi mes periudhave dhe stileve të ndryshme të muzikës klasike. Pianoja dhe flauti u ndërthurën në një dialog të gjallë muzikor.
Për të dy artistet pjesëmarrëse, aktivitete të tilla synojnë të krijojnë edhe një lidhje më të fortë të rinjve me artin dhe muzikën.
“Jemi përpjekur të përzgjedhim një repertor të larmishëm, nga muzika baroke dhe klasike, por edhe ajo bashkëkohore, në mënyrë që t’i ofrojmë publikut më shumë larmi. Publiku e priti mjaft mirë dhe jam e kënaqur që çdo ditë e më shumë, edhe Lezha po mësohet me muzikën klasike”, u shpreh artistja, Synjona Paplekaj
“E gjithë salla, le të themi, ishte e mbushur me të rinj dhe fëmijë që ndjekin edhe kurset e artit. Kjo na gëzon pa masë, pasi ky ishte edhe qëllimi ynë”, tha artistja, Anxhela Hammad.
Nga kjo mbrëmje u dëshmua se muzika klasike mund të gjejë publikun e saj edhe jashtë skenave të mëdha, duke frymëzuar të rinjtë dhe duke e bërë jetën kulturore të një qyteti gjithnjë e më të pasur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




