Karoglan, para Elbasanit: Të pranojmë realitetin, por nuk dua alibi! Nuk biem në panik

Abissnet Superiore | 33 minuta më parë

Pas disfatës së rëndë me Skënderbeun vjen sfida me Elbasanin dhe te Partizani duan ta ndryshojnë me çdo kusht situatën. Trajneri Mislav Karoglan doli sot në konferencë shtypi, ku foli për gjendjen e skuadrës dhe sfidën e radhës.

Trajneri i të kuqve theksoi mes të tjerash se në radhë të parë duhet pranuar realiteti dhe duhet punuar për të gjetur zgjidhje. Karoglan u shpreh se nuk kërkon alibi, edhe pse 7 mungesa janë shumë. Elbasanin e pret agresiv në fushë të mërkurën, ndërsa mesazhi i trajnerit është se Partizani nuk është klub që bie në panik.

Pas humbjes ndaj Skënderbeut, jeni nën presion?

Presioni është prezent kur je në një klub, ku pritshmëritë janë të mëdha. Kam folur edhe me lojtarët, duhet të pranojmë realitetin ku jemi. Duhet të gjejmë stabilitet në repartin e mbrojtjes, pasi kemi pësuar shumë gola dhe për pasojë jemi këtu ku jemi përsa i përket edhe pozicionit në klasifikim. Na duhet të punojmë shumë edhe pse nuk mund të bëjmë një proces normal stërvitor, pasi luajmë çdo 3–4 ditë. Duhet të përpiqemi dhe të vazhdojmë të bëjmë më mirë.

Keni gjetur një “diagnozë” për ta ndryshuar këtë realitet?

Kemi zhvilluar një analizë të plotë për situatën. Asnjëherë unë si trajner nuk dua të krijoj alibi. Shtatë lojtarë, pothuajse gjysma e skuadrës, janë të dëmtuar. Ndaj Skënderbeut dhuruam në 25 minutat e para një lojë me kualitet të lartë. Më pas nuk mundëm të mbanin këtë ritëm dhe kjo ishte diçka që më mërziti pas ndeshjes. Kjo është ana pozitive, ndërsa për anët negative na duhet të punojmë. Sigurisht, ana psikologjike është më e rëndësishme për situatën në të cilën ndodhemi.

Përballja ndaj Elbasanit…

Pres një Elbasan agresiv. Ne duhet të jemi gati dhe t’i përgjigjemi. Nuk mund të jemi një skuadër e butë. Duhet të jemi gati dhe të ndjekim planin tonë.

Kur mendoni se do të keni Partizanin që kërkoni?

Momentalisht nuk kam mundur të shikoj skuadrën larg. Sigurisht, pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të impenjimeve të ekipeve kombëtare do të kemi një skuadër ndryshe. Këtë ua premtoj. Në këtë moment Elbasani është ndeshja më e rëndësishme, është objektivi ynë kryesor.

Mesazhi im për lojtarët është që nuk jam një trajner që e zë paniku. Dhe nuk jemi një klub që zihet në panik. Ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë grintën krenarinë dhe të luajmë për këto ngjyra në nivelet që kërkohen. Nuk duhet të kemi frikë nga asgjë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme