Arrestohet në Milano 22-vjeçari, dyshohet se planifikonte sulme ndaj një sinagoge dhe një xhamie

Botë | 1 orë më parë

Një 22-vjeçar është arrestuar në zonën e Milanos në Itali, nën dyshimin për stërvitje me qëllime terroriste. Sipas hetimeve, i riu dyshohet se kishte planifikuar sulme ndaj një sinagoge hebraike dhe një vendi të lutjes islame në zonën përreth qytetit.

Arrestimi u krye mëngjesin e 29 tetorit nga karabinierët e Njësisë së Operacioneve Speciale (ROS), në bashkëpunim me Komandën Provinciale të Milanos, pas një urdhri të lëshuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake i gjykatës së qytetit. Hetimi drejtohet nga Prokuroria e Milanos dhe është përqendruar te analiza e pajisjeve elektronike të të dyshuarit.

Sipas autoriteteve italiane, nga kontrolli i pajisjeve elektronike janë zbuluar të dhëna që sugjerojnë se 22-vjeçari kishte studiuar në detaje mënyrat e përgatitjes së mjeteve shpërthyese dhe modifikimit të armëve të zjarrit. Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu aktivitet të vazhdueshëm të vetëtrajnimit me qëllime terroriste dhe kërkimin e substancave kimike që mund të përdoreshin për prodhimin e eksplozivëve.

Në pajisjet e tij janë gjetur edhe materiale propagandistike dhe përmbajtje që nxisnin kryerjen e veprave penale. Mes tyre, sipas hetuesve, kishte shkrime dhe ide të Anders Behring Breivik, autorit të sulmeve terroriste të vitit 2011 në Oslo dhe në ishullin Utøya të Norvegjisë, ku u vranë 77 persona.

Materialet e zbuluara përmbanin ide supremaciste, përshpejtimiste, ksenofobe dhe mohimin e Holokaustit. Për këto dyshime, i riu po hetohet për veprën penale të stërvitjes për veprimtari me qëllime terroriste, përfshirë terrorizmin ndërkombëtar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme