Shërbimi shëndetësor në zonat rurale, FSDKSH synon rritjen e aksesit për banorët e fshatrave

Shëndet | 28 minuta më parë

Banorët e zonave rurale të Kukësit, veçanërisht ata që jetojnë larg qendrave urbane, kanë nevojë për shërbime shëndetësore të aksesueshme dhe në kohë. Në këtë drejtim, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon shërbime përmes kontratave me ofruesit, ndërsa garantimi i aksesit për qytetarët mbetet një nga çështjet kryesore të funksionimit të skemës.

“Fatmirësisht, qarku i Kukësit ka një staf mjekësor në çdo cep të tij, me qendra shëndetësore. Këto kanë gjithashtu fonde të mjaftueshme, sidomos për mirëmbajtjen e objekteve dhe blerjen e medikamenteve. Ndërsa për rimbursimin e ilaçeve, kjo çështje ndiqet nga mjekët e familjes, të cilët gjenden në çdo fshat të madh të qarkut të Kukësit”, u shpreh Liman Morina, Drejtor i FSDKSH-së, Kukës.

Përveç financimit të shërbimeve, një tjetër element i rëndësishëm është monitorimi i punës së qendrave shëndetësore. Kontrollet synojnë të vlerësojnë respektimin e standardeve të shërbimit dhe zbatimin e kushteve për të cilat institucionet kanë marrë përsipër të ofrojnë kujdes shëndetësor për qytetarët.

“Detyrimisht, kemi kontrolle të herëpashershme në çdo qendër shëndetësore, konkretisht për rimbursimin e ilaçeve dhe vijueshmërinë e punës së mjekëve. Gjithashtu, ka një monitorim të vazhdueshëm”, tha ai.

Aksesi në shërbimet shëndetësore dhe kontrolli i cilësisë së tyre janë thelbësorë për qytetarët, veçanërisht për ata që jetojnë në zona të thella rurale. Monitorimi i vazhdueshëm dhe zbatimi i detyrimeve kontraktuale synojnë të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimit dhe në garantimin e të drejtës së qytetarëve për kujdes shëndetësor.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme