Ankimimet ndaj vendimit të ish-krerëve të UÇK-së/Apeli i ‘Speciales” pranoi shtimin e numrit të fjalëve në deklaratat e mbrojtjes

Kosovë | 56 minuta më parë

Apeli i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka autorizuar ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së se deklaratat e ankimimeve të tyre mund të përmbajnë deri në 7 mijë fjalë, në vend të kufirit të zakonshëm prej 3 mijë të tillash.

Apeli pranoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes e cila kishte kërkuar që deklaratat të përmbanin deri në 9 mijë fjalë, pasi argumentuan se kjo ishte e nevojshme për shkak të kompleksitetit të çështjes, e cila kërkon hapësirë më të madhe për paraqitjen e pretendimeve.

Në arsyetimin e vendimit, trupi gjykues theksoi se aktgjykimi i shkallës së parë, i publikuar më 16 shtator përmban 2089 faqe dhe është më i gjati i nxjerrë ndonjëherë nga Dhomat e Specializuara. “Gjykata mori parasysh gjithashtu kompleksitetin e çështjes dhe nevojën që palët të mund t’i paraqesin në mënyrë kuptimplotë pretendimet e tyre në apel.”- thuhet në njoftimin e gjykatës.

Megjithatë, gjyqtarët vlerësuan se kërkesa për 9 mijë fjalë në deklaratë ishte e tepërt, pasi sipas tyre, cilësia dhe efektiviteti i një ankimi nuk varen nga gjatësia, por nga qartësia dhe argumentimi i pretendimeve të mbrojtjes.

Ekipet mbrojtëse kanë afat deri më 27 nëntor për të dorëzuar ankimimet në Apel. Ndërkohë grupet e punës të ngritura nga institucionet e Kosovës po hartojnë strategjinë shtetërore për mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët më 16 shtator u dënuan nga Gjykata Speciale me 81 vite burg në total pasi u shpallën fajtorë për krime lufte.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme