Vrasja e Arlinda Zekajt, pezullohen kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e rastit pas publikimit të audiove tronditëse

Kosovë | 33 minuta më parë

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur të pezullojë nga detyra kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferi. Ndaj të dyjave është hapur gjithashtu procedurë hetimore.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërsa në detyrën e ushtrueses së detyrës së kryeprokurores së Pejës është caktuar Valbona Haxhosaj.

Ky zhvillim vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj.

Rasti ka ngritur pikëpyetje edhe për trajtimin e paralajmërimeve të viktimës, pasi Arlinda Zekaj, vetëm tri ditë para se të vritej, i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, ku e kishte njoftuar se jeta e saj ishte në rrezik.

Mediat e Kosovës kanë zbardhur audio-incizime dhe transkripte të bisedave tronditëse të Arlinda Zekajt me ish-bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, dhe me zyrtarë të Policisë së Kosovës. Këto komunikime nxjerrin në pah kërcënimet me jetë dhe neglizhencën institucionale pak ditë para se ajo të vritej më 25 tetor 2026.

Në komunikimet e zbardhura dëgjohen kërcënime nga ish-bashkëshorti me kujdestarinë e djalit të tyre. Ish-bashkëshorti dëgjohet t’i thotë: “Do të të vras, nuk do ta shohësh djalin sa të jem gjallë” si dhe “Prej këtij minuti e humbe të drejtën me fol me djalin”.
Gjatë bisedës, Arlinda argumenton se djali ka nevojë të qëndrojë me nënën, ndërsa ai i përgjigjet: “S’ka në traditë të shqiptarit që nana e ka marrë djalin, veç nëse s’ka dashtë baba… Ti je e vetmja nanë pa fëmijë”.

Është publikuar gjithashtu një video ku shihet djegia e rrobave të Arlindës nga ana e familjarëve të ish-bashkëshortit.

Një pjesë e madhe e revoltës publike ka ardhur nga zbardhja e komunikimit telefonik mes Arlindës dhe togerit të policisë, të cilit ajo po i kërkonte zbatimin e urdhrit të mbrojtjes dhe largimin e personave të panjohur nga shtëpia e saj.
Polici dëgjohet t’i thotë: “Nuk jam i obliguar të merrem vazhdimisht me ty” dhe e udhëzon që të bëjë padi civile në gjykatë për t’i dëbuar ata nga shtëpia. E dëshpëruar nga kjo përgjigje, ajo ia kthen: “Me shku dikush në shtëpi tënde… a i lë aty? Ky është dështim total”. Kur ai e pyet nëse është ankuar në Inspektorat, ajo përgjigjet: “O edhe miliona herë”.

Në dosjen e siguruar nga mediat, është zbardhur edhe deklarata e fundit rrëqethëse që Arlinda ka dhënë në polici para se të kthehej në shtëpinë ku u vra. Ajo iu kishte thënë zyrtarëve policorë “A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?”.

Gjithashtu, krahas bisedave, mediat kanë publikuar edhe një letër urgjente që ajo i kishte dërguar kryeprokurores në Pejë tri ditë para vrasjes, ku shkruante: “Uroj që ju dhe institucionet përgjegjëse të mos detyroheni të përgjigjeni vetëm pasi të jetë marrë jeta ime… Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”.

Si pasojë e publikimit të këtyre bisedave dhe audios që dëshmon neglizhencën e institucioneve, sot është rekomanduar dhe vendosur pezullimi i Kryeprokurores së Pejës dhe prokurores së rastit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme