Bordi i Transparencës ndryshon çmimet e karburanteve, sa do të shitet nafta dhe benzina

Ekonomi | 59 minuta më parë

Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes së karburanteve në Shqipëri, duke ulur me 6 lekë për litër çmimin maksimal të naftës dhe benzinës, krahasuar me vendimin e një dite më parë.

Sipas vendimit të marrë këtë të shtunë, (31 tetor), nafta do të shitet me një çmim maksimal prej 212 lekësh për litër, nga 218 lekë që ishte përcaktuar më parë. Ndërsa benzina do të kushtojë jo më shumë se 179 lekë për litër, kundrejt 185 lekëve të një dite më parë.

Konkretisht, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 212 lekë/litri, ndërsa çmimi me shumicë në 200 lekë/litri.

Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është caktuar në 179 lekë/litri, ndërsa ai me shumicë në 167 lekë/litri.

Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 31 tetor, në orën 12:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen sërish ndryshimet e mundshme në treg.

Bordi u ka rikujtuar operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë detyrimin për të respektuar çmimet e përcaktuara, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se angazhimi i tyre synon mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme