Tragjedi familjare në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari i dyshuar për vrasjen e djalit dhe foshnjës së tij

Policia e Kosovës ka arrestuar një 65-vjeçar si të dyshuar kryesor për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, ku brenda një shtëpie private janë gjetur pa shenja jete një i ri 27-vjeçar dhe një foshnjë.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht për RTKLive nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili bëri me dije se sinjalizimi i parë për ngjarjen është marrë në orët e mëngjesit të ditës së sotme.
Ndërhyrja e autoriteteve dhe zbulimi i ngjarjes
Sipas të dhënave zyrtare, strukturat e rendit dhe ekipet e emergjencës kanë reaguar menjëherë pas marrjes së njoftimit rreth orës 08:47, duke shkuar në vendin e ngjarjes për të marrë masat e para hetimore.
“Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete,” deklaroi Hashani.
Ai sqaroi më tej se viktimat janë një person i gjinisë mashkullore i lindur në vitin 1999 dhe një foshnjë, ndërsa nga këqyrja e parë e skenës së krimit dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda rrethit familjar.
Hetimet dhe hapat proceduralë
Në lidhje me këtë incident, autoritetet kanë shoqëruar dhe arrestuar babain e 27-vjeçarit, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit me urdhër të prokurorisë.
“Në cilësinë e personit të dyshuar është arrestuar babai i viktimës, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë,” konfirmoi zëdhënësi i policisë, duke shtuar se “në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si ‘Vrasje e Rëndë’.”
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupat e pajetë janë dërguar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e autopsisë, ndërsa Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për trajtimin e plotë dhe profesional të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




