Kremlini ndërton “syrin e ri” mbi Evropën, kompleksi gjigant në Kaliningrad drejt përfundimit, radari rus me rreze 3,000 km mbulon hapësirën ajrore të NATO-s

Europë | 1 orë më parë

Rusia po përfundon ndërtimin e një kompleksi gjigant radarësh në enklavën e saj shumë të militarizuar të Kaliningradit, raportojnë mediat ndërkombëtare. Objekti i gjerë, me tre krahë rrezatues prej më shumë se 500 metrash secili, do të shërbejë si një platformë masive për rrjetin e inteligjencës dhe ushtrisë së Moskës në rajon.

Ndonëse Moska nuk e ka konfirmuar zyrtarisht projektin, eksperti i sigurisë Vaidotas Malinionis sqaron se radari mbi horizontin (OTH) pranë Gvardeysk-ut do të ketë një rreze mbikëqyrjeje prej rreth 3,000 kilometrash, duke mbuluar pothuajse të gjithë territorin evropian dhe Ukrainën.

Aftësitë operative dhe roli në luftën elektronike

Sistemi i ri pritet t’i lejojë Rusisë të përgjojë komunikimet satelitore, të zbulojë lëvizjet e avionëve dhe të gjurmojë raketat balistike. Sipas raportimeve të gazetës The Times, bazuar në të dhënat e kompanisë hapësinore ICEYE, këto pajisje do të përdoren kryesisht për zbulimin dhe bllokimin e sinjaleve elektronike.

“Qëllimi i këtij radari është vëzhgimi i objektivave në distanca të gjata dhe aftësitë e paralajmërimit të hershëm,” deklaroi ish-komandanti lituanez Vaidotas Malinionis. Ai shtoi se “nëse ata do të ishin në gjendje të merrnin një paralajmërim të hershëm për lëvizjen e trupate të NATO-s do të fitonin më shumë kohë për vendimmarrje.”

Paralelisht, analistja gjeopolitike letoneze Evija Djatkovica paralajmëron se ky kompleks do t’i mundësojë Rusisë të mbyllë boshllëqet në zbulimin e objekteve që fluturojnë ulët, duke ulur efektivitetin e përdorimit të dronëve nga NATO-ja.

Militarizimi i Kaliningradit dhe përgjigja e Perëndimit

Analizat satelitore tregojnë se në rajonin e Kaliningradit janë shtrirë më shumë se 20 objekte të sinjalizimit dhe luftës elektronike. Përveç kompleksit pranë Gvardeysk-ut, janë detektuar antena rrethore pranë Chernyakhovsk-ut, strehimore të reja për avionët luftarakë në aeroportin Kaliningrad-Chkalovsk, si dhe platforma aktive të sistemit mbrojtës S-400 në Baltiysk.

“Radari i ri sinjalizon një garë në rritje midis Rusisë dhe NATO-s për supremaci ushtarake dhe kontroll të rajonit të Kaliningradit,” nënvizoi Djatkovica. Kjo situatë, sipas saj, lejon projektimin e kërcënimeve direkte ndaj kryeqyteteve evropiane, për shkak të arsenaleve bërthamore të stacionuara në enklavë.

Si përgjigje ndaj këtij militarizimi, vendet evropiane po rrisin masat e tyre mbrojtëse. Polonia po konverton fermat e energjisë eolike në Detin Baltik në infrastrukturë mbikëqyrëse të NATO-s, ndërsa prodhuesi Rheinmetall po zhvillon satelitë të rinj SAR në bashkëpunim me ICEYE për të monitoruar kufirin lindor.

Në përfundim, Malinionis vëren se pavarësisht përmasave dhe fuqisë së tij, radari i ri rus paraqet edhe një dobësi: “Meqenëse është kaq i madh, është një objektiv mjaft i lehtë!”

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme