Spahiu dhe Gogu në burgun e Shënkollit, kujdesi shëndetësor për të burgosurit nën përgjegjësinë e Ministrisë së Shëndetësisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, dhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, kanë zhvilluar një vizitë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shënkoll, ku kanë diskutuar për masat që synojnë përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe garantimin e standardeve të trajtimit për personat nën masa mjekësore. Në fokus të takimit ishte zbatimi i një plani të përbashkët masash, të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Drejtësisë, nën koordinimin e Kryeministrisë.
Plani vjen në përgjigje të rekomandimeve të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmave kombëtarë të monitorimit, me qëllim përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe garantimin e shërbimeve shëndetësore sipas standardeve të kërkuara.
Një prej masave kryesore është ngritja e Institucionit Mjekësor të Posaçëm, për të cilin është miratuar tashmë kuadri i nevojshëm rregullator. Ndërkohë, viojnë procedurat për realizimin e investimit në infrastrukturën e re. Deri në ndërtimin dhe funksionalizimin e institucionit të ri, autoritetet po punojnë për transferimin e përgjegjësisë së ofrimit të kujdesit shëndetësor në IEVP Lezhë nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Gjatë kësaj periudhe, Ministria e Shëndetësisë po mbështet institucionin përmes angazhimit të mjekëve psikiatër me kohë të pjesshme nga strukturat vendore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Mbështetja përfshin gjithashtu kryerjen e ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike, konsultat me mjekë specialistë, si dhe trajtimet dhe ndërhyrjet spitalore, përfshirë ato kirurgjikale, nëpërmjet Spitalit Rajonal të Lezhës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Në këtë proces janë përfshirë edhe Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Lezhë dhe Instituti i Shëndetit Publik, të cilët ofrojnë mbështetje diagnostike, epidemiologjike dhe teknike sipas nevojave. Kjo nismë është pjesë e reformës për integrimin e kujdesit shëndetësor në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në sistemin publik shëndetësor, me synimin për të garantuar trajtim më cilësor dhe respektimin e të drejtave të personave që ndodhen nën masa mjekësore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




