Peleshi në Çeki, konfirmohet mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Politikë | 1 orë më parë

Në vijim të turit të diplomacisë parlamentare në vendet partnere të Bashkimit Europian, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Çeke, zhvilloi në Pragë takime me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek, Tomio Okamura, dhe Presidentin e Senatit, Miloš Vystrčil.

Në takime u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke, të ndërtuara mbi një miqësi tradicionale, dialogun e vazhdueshëm politik dhe vlerat e përbashkëta europiane. Palët shprehën vullnetin për t’i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit, veçanërisht në drejtim të forcimit të marrëdhënieve ndërparlamentare dhe zgjerimit të shkëmbimeve mes institucioneve si edhe nxitjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e ekonomisë, turizmit, arsimit etj.

Kryetari Peleshi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të qartë të Republikës Çeke për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe qëndrimin e saj në favor të një procesi zgjerimi të bazuar në meritë. Ai theksoi se mbështetja politike e vendeve anëtare është veçanërisht e rëndësishme në këtë fazë vendimtare të negociatave, ndërsa Shqipëria vijon punën për përmbushjen e reformave dhe objektivin strategjik të anëtarësimit në BE.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor dhe rolit të vendeve të Grupit të Vishegradit në mbështetje të integrimit të rajonit. Në këtë kontekst, u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit dhe e koordinimit mes parlamenteve për të mbajtur zgjerimin e Bashkimit Europian në fokusin e agjendës politike europiane.

Në planin e bashkëpunimit parlamentar, Kryetari Peleshi nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të kontakteve mes drejtuesve të parlamenteve, komisioneve parlamentare dhe grupeve të miqësisë. Ai vlerësoi rivendosjen e aktivitetit të Grupit të Miqësisë Çeki-Shqipëri në Dhomën e Deputetëve dhe shprehu interesin për zgjerimin e shkëmbimeve të ndërsjella, përfshirë bashkëpunimin mes komisioneve që mbulojnë çështjet europiane dhe politikën e jashtme.

Bashkëpunimi parlamentar u vlerësua gjithashtu si një mundësi konkrete për të afruar më tej dy vendet, përmes shkëmbimit të përvojave institucionale, praktikave më të mira dhe nismave që forcojnë lidhjet mes qytetarëve dhe komuniteteve lokale.

Në përfundim, palët riafirmuan rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe kontributin që diplomacia parlamentare mund të japë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Një Ballkan Perëndimor më i integruar dhe më bashkëpunues mbetet në interes të përbashkët dhe një faktor i rëndësishëm për një Europë më të bashkuar dhe më të sigurt.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme