Partia e Vuçiç shqyrton bojkotin e zgjedhjeve presidenciale në Serbi

Serbi | 3 orë më parë

Partia Progresive Serbe (SNS), e udhëhequr nga ish-presidenti Aleksandar Vuçiç, po shqyrton mundësinë që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi.

Pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, drejtuesit e partisë argumentojnë se nuk ekzistojnë kushtet për një garë të ndershme, ndërsa Vuçiç e cilësoi procesin politik në vend si një “farsë”.

Lajmi u konfirmua nga ish-presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, gjatë një interviste në televizionin Pink, ku ai u shpreh se klima aktuale politike nuk garanton kushte të drejta për pjesëmarrje në procesin zgjedhor.

“Jo vetëm që nuk ka jetë politike këtu, por po përjetoni diçka ku dikush vjen dhe ju lidh duart dhe këmbët”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se në rrethana të tilla nuk sheh arsye për të marrë pjesë në “diçka që është farsë”.

Megjithëse ai nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë e ndryshimit të këtij qëndrimi, mediat serbe raportojnë se ideja e bojkotimit të zgjedhjeve presidenciale është diskutuar edhe në mbledhjen e Bordit Kombëtar të SNS-së gjatë fundjavës.

Që pas fitores së Listës së Studentëve në zgjedhjet parlamentare, drejtuesit e SNS-së, përfshirë Vuçiçin, si dhe mediat pranë partisë, kanë akuzuar kundërshtarët politikë për ushtrim të asaj që e quajnë “terror revolucionar”.

Sipas tyre, kushtet aktuale politike nuk ofrojnë garanci për një proces të rregullt zgjedhor.

Serbia duhet të mbajë zgjedhjet presidenciale jo më vonë se 27 dhjetori, pas dorëheqjes së Aleksandar Vuçiç nga posti i presidentit më 27 shtator.

Presidentja në detyrë, Ana Brnabiç, pritet të shpallë datën e zgjedhjeve deri më 27 nëntor. Sipas legjislacionit serb, votimi duhet të zhvillohet jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e zgjedhjeve.

Deri në zgjedhjen e presidentit të ri, Brnabiç do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e kreut të shtetit në cilësinë e presidentes së përkohshme, mandat që mund të zgjasë deri në tre muaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme