Franca përgatitet për protesta masive, mijëra punonjës në grevë kundër shkurtimeve buxhetore

Qindra mijëra qytetarë pritet të dalin në rrugët e Francës, ndërsa sindikatat kanë thirrur një grevë kombëtare që pritet të prekë sektorë të shumtë, përfshirë spitalet, kontrollin ajror, postën, arsimin dhe transportin hekurudhor.
Presidenti Emmanuel Macron po përballet me muajt e fundit të mandatit të tij mes krizave të njëpasnjëshme të brendshme. Protestave të përjavshme të nxënësve të shkollave të mesme, të cilët kundërshtojnë kushtet e dobëta në arsim, u janë bashkuar edhe punonjës që protestojnë për rritjen e kostos së jetesës. Ndërkohë, qeveria po has vështirësi për të miratuar një buxhet shtrëngues në një parlament të përçarë, ndërsa borxhi publik po i afrohet nivelit prej 120% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në prag të grevës së të enjtes, katër sindikatat kryesore të hekurudhave paralajmëruan se shkurtimet buxhetore të propozuara nga qeveria do të përkeqësojnë varfërinë, do të dobësojnë sigurimet shoqërore, do të ngrijnë pagat e punonjësve të shtetit dhe do të kufizojnë investimet e nevojshme për masat mjedisore.
Protestat janë shtrirë edhe në shkolla dhe universitete. Nxënësit kanë vijuar bllokimin e institucioneve arsimore, duke kundërshtuar klasat e mbipopulluara dhe ndërtesat në gjendje të amortizuar. Ata vlerësojnë se masat e propozuara nga qeveria, përfshirë kufizimin e numrit të nxënësve në disa klasa dhe fondet për autoritetet rajonale për rikonstruksionin e shkollave, nuk janë të mjaftueshme. Në protesta janë përfshirë edhe studentët, të cilët kanë bllokuar disa fakultete.
Thirrjes për grevë i janë bashkuar sindikata nga të gjitha krahët politikë, ndërsa edhe mësuesit e shkollave private pritet të protestojnë së bashku me kolegët e tyre në sistemin publik.
Përveç kërkesave ekonomike dhe sociale, në qendër të kundërshtimeve është vënë edhe mënyra se si autoritetet po menaxhojnë protestat. Organizatat për të drejtat e njeriut akuzojnë qeverinë e Macron për përdorim të tepruar të forcës policore dhe për kufizimin e së drejtës për demonstrim.
Liga Franceze për të Drejtat e Njeriut ka paralajmëruar për një “zhvendosje autoritare”, duke akuzuar ekzekutivin se po përpiqet të heshtë çdo zë kundërshtues. Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë, kanë vendosur kufizime për protestat në qendrat e qyteteve dhe kanë shpallur shtetrrethim në disa zona.
Sophie Binet, drejtuesja e sindikatës së majtë CGT, deklaroi se Franca po përjeton një periudhë shumë serioze, duke paralajmëruar për atë që e cilësoi si një “rrëshqitje të rrezikshme autoritare të qeverisë”. Ajo kritikoi vendimet e autoriteteve në qytete si Rennes, Toulouse dhe Lyon për t’i zhvendosur demonstratat jashtë qendrave urbane.
Edhe Marylise Léon, drejtuese e sindikatës së moderuar CFDT, kundërshtoi këto kufizime, duke theksuar se “parimi i një demonstrate është dukshmëria e saj”.
Greva pritet të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në shërbimet publike dhe transport. Kompania kombëtare hekurudhore SNCF ka paralajmëruar probleme në linjat rajonale dhe në disa zona të rajonit të Parisit, ndërsa punonjësit e porteve kanë njoftuar gjithashtu ndërprerje të aktivitetit.
Ministria e Arsimit pret që gati 18% e mësuesve të kopshteve dhe shkollave fillore t’i bashkohen grevës, ndërsa sindikatat parashikojnë pjesëmarrje edhe nga mësuesit e arsimit të mesëm.
Protestat zhvillohen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa Marine Le Pen, kandidatja e ekstremit të djathtë dhe kundër emigracionit, rezulton me mbështetje të lartë në sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, kur do të zgjidhet pasardhësi i Macron.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




