Sponsorizimet në sport, art e kulturë me lehtësi fiskale, Balla: Deri në 30% zbritje nga tatimi mbi fitimin

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka prezantuar në Komisionin për Edukimin dhe Sportet projektligjin “Për donacionet dhe sponsorizimet”, duke propozuar një mekanizëm të ri stimulimi fiskal për bizneset që mbështesin sportin, artin dhe kulturën. Sipas propozimit, shuma e sponsorizuar për veprimtari publike në këto fusha të zbritet drejtpërdrejt nga detyrimi për tatimin mbi fitimin, deri në masën 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës fiskal. Gjatë fjalës së tij, Balla argumentoi se sporti, arti dhe kultura kanë nevojë për burime të qëndrueshme financimi dhe se biznesi shqiptar mund të luajë një rol më të madh në mbështetjen e tyre përmes partneritetit publik-privat. Ai solli si shembull modelin e bashkëpunimit të aplikuar në sport, duke përmendur edhe organizimin e aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare në Shqipëri.
“Air Albania është model suksesi i ngritur mbi bazën e parimit të partneritetit publik-privat. Edhe ligji që sjellim në të njëjtin parim vjen”, u shpreh Balla.
Sipas tij, investimet në infrastrukturën sportive kanë bërë të mundur që Shqipëria të presë aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare.
“Shqipëria ka mirëpritur në vitin 2022 aktivitetin më të madh futbollistik, siç është finalja e një Kupe Europiane, siç ishte Conference League, dhe mirëpret verën e ardhshme Kampionatin Europian të Futbollit U21. Për herë të parë Shqipëria kualifikohet në një event të tillë si vend organizator”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se për të garantuar rezultate të qëndrueshme në sport nevojiten edhe burime financiare afatgjata. Balla vlerësoi se biznesi shqiptar ka mundësi të kontribuojë më shumë në këto sektorë, ndërsa u takon ligjvënësve të krijojnë instrumentet e nevojshme për ta kthyer këtë potencial në investime konkrete.
“Por nëse duam sport me rezultate të qëndrueshme, duhet të garantojmë financim të qëndrueshëm. Klubet sportive, federatat, akademitë e të rinjve, organizatorët e aktiviteteve kulturore e artistike kanë nevojë për burime financimi alternative, që t’u mundësojnë të planifikojnë në mënyrë efektive dhe afatgjatë. Biznesi shqiptar ka potencial të rëndësishëm për të kontribuuar në këtë sektor dhe detyra jonë si ligjvënës është të krijojmë instrumente që e kthejnë potencialin në investime konkrete”, tha kreu i grupit parlamentar socialist.
Duke shpjeguar mekanizmin e propozuar, Balla deklaroi se nisma vjen në kuadër të propozimit të një mekanizmi të ri të stimulimit fiskal për sponsorizimin në art, kulturë dhe sport. Balla e cilësoi këtë mekanizëm si një ndryshim thelbësor nga mënyra aktuale e trajtimit të sponsorizimeve, pasi sipas tij nuk bëhet fjalë thjesht për njohjen e tyre si shpenzime të zbritshme, por për një stimul të drejtpërdrejtë fiskal.
“Nisma jonë vjen këtu për të propozuar një mekanizëm të ri të stimulimit fiskal për sponsorizim në art, kulturë dhe sport. Propozojmë që për sponsorizimet e veprimtarive publike në fushat e sipërpërmendura, shuma e sponsorizuar të zbritet drejtpërdrejt nga detyrimi për tatimin mbi fitimin, deri në masën 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës fiskal. Ky është një ndryshim thelbësor nga thjesht njohja e sponsorizimit si shpenzim i zbritshëm dhe me këtë mekanizëm shteti krijon një stimul të drejtpërdrejtë që nxit partneritetin publik-privat. Duhet ta konsiderojmë sportin si një të mirë publike”, theksoi Balla.
Gjatë prezantimit, deputeti socialist u ndal edhe te kontrollet që parashikon projektligji, duke theksuar se mekanizmi është hartuar për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar transparencë në përdorimin e këtij instrumenti fiskal. Sipas Ballës, synimi është që një pjesë e burimeve financiare që në kushte të tjera do të përfundonin në buxhetin e shtetit, të orientohen drejt mbështetjes së sportit, artit dhe kulturës.
“Në ligj janë parashikuar kontrolle të tilla që të qetësojnë shpirtrat dhe mendjet e punonjësve të tatimeve, Ministrisë së Financave, që kjo nuk është skemë për të zhvatur buxhetin, por për të nxitur sportin. Ne synojmë që një pjesë e burimeve që do të shkonin në buxhetin e shtetit të orientohen drejt mbështetjes së sportit, artit e kulturës”, tha ai.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë diskutimit ishte mënyra se si do të shpërndahen sponsorizimet mes disiplinave të ndryshme sportive. Balla sqaroi se propozimi nuk përcakton një ndarje të detajuar të fondeve për secilën disiplinë, duke ia lënë këtë kompetencë ministrit përgjegjës.
“Nuk ka një ndarje në propozimin tonë se sa do të shkojë për sportin dhe brenda sportit, sa do të shkojë për futbollin, sa do të shkojë për volejbollin, sa për basketbollin, por këtë kompetencë do t’ia lëmë ministrit ta bëjë”, u shpreh ai.
Megjithatë, Balla dha edhe qëndrimin e tij për prioritetet e financimit, duke kërkuar që pjesa më e madhe e mbështetjes të orientohet drejt futbollit.
“Unë po ju them, zoti ministër, se pjesa më e madhe duhet të shkojë për futbollin. Sot që flasim, 90% e parave që investohen në sport shkojnë te futbolli. Shqipëria ka mbi 100 klube futbolli dhe, nëse duam të kemi fëmijë nga mosha 6-vjeçare deri në të gjitha klubet e moshave, duhet të krijojmë kushtet për mbështetjen e tyre”, deklaroi Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




