“Qëllojeni…” xhaxhai i Aleks Nikës: Ja çfarë përmban audiokaseta që do dorëzohet në SPAK

SPAK ka marrë dje (22 korrik) dëshmitë e para të bashkëshortes dhe xhaxhit të protestuesit të vrarë Aleks Nika lidhur me çështjen e 21 janarit. Në një intervistë telefonike për “Jetë Shqiptare” në RTSH, xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ka treguar më shumë detaje se për çfarë u pyetën.
Mark Nika tha se kaseta përmban urdhrin e ish kreut të Gardës Ndrea Prendi që të qëllohet mbi protestuesit pasi doli nga Kryeministria.
“Dje u paraqitëm me kërkesë të SPAK dhe u pyetëm nga prokurorët dhe anëtarët e BKH se çfarë dinim për ngjarjen. Ata kërkuan shpjegime nga ne për kasetën që është siguruar nga gazetari Artan Hoxha. Kaseta është provë e jona, është dëgjuar pjesa ku flet komandanti I Gardës dhe urdhri ishte të “qëllohen në mish, të qëllohet në trup”. Ky urdhër është dhënë që kur Prendi ka dalë nga kryeministria dhe pas disa sekondash janë vrarë 4 protestuesit. Kasetën e ka Artan Hoxha dhe jam i bindur që sot do e dorëzoj, janë procedurat që ndiqen. Kur të bëhet ekspertimi i zërit dhe kjo do shërbejë si provë”, tha Nika.
Mark Nika ka besimin se SPAK do i shkojë deri në fund kësaj çështje, e cila sipas tij është zvarritur qëllimisht pasi nuk ka pasur vullnet politik.
“Shpresoj që drejtësia të mos zvarritet dhe të hetojë ngjarjen deri në fund. Plumbi i Aleksit është deformuar në Tiranë duke prishur provat. Prej 13 vitesh nuk kemi pushuar se kërkuari drejtësi. Nuk ka pasur vullnet politik për të hetuar çështjen”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




