Kumbaro inspektim në Vlorë: Kritere strikte për subjektet që menaxhojnë plazhet

Aktualitet | 2 vite më parë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka vazhduar inspektimet në bregdet duke u ndalur në Lungomaren e Vlorës ku është bërë plugimi i rërës, pastrimi  dhe përgatitjet për sezonin veror 2024.

Nga 15 qershori deri në 15 shtator, në muajt e pikut të sezonit Vlora do të mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit përmes një operatori shtesë pastrimi.

Ministrja Kumbaro kërkoi bashkëpunimin e gjithë qytetarëve dhe bizneseve për mbajtjen pastër të plazheve, ndërkohë që bashkia do të vendosë edhe 105 kosha të rinj përgjatë shëtitores.

“Kemi vënë kritere të reja sivjet në kontratën për subjektet që marrin plazhet në menaxhim me detyrimin për informim, me detyrimin për vrojtuesit në mënyrë të padiskutueshme, por sidomos me detyrimin për ta mbajtur pastër gjithçka rreth e rrotull. Unë shoh si sfidën më të madhe, pastërtinë. Kjo nuk është punë që e bën vetëm bashkia në qoftë se qytetarët dhe bizneset nuk na bashkohen në këtë sfidë”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Kryetari i bashkisë Ermal Dredha u shpreh se bashkia në vijim të përgatitjeve për sezonin, ka bërë edhe rehabilitimin e sistemit të ujërave të ndotura duke i devijuar në kolektor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme