Alarmi për bombë në 3 shkolla, gazetarja Dunisha sjell detaje mbi kërcënuesit

Një email kërcënues ka alarmuar 3 shkolla në Tiranë duke shkaktuar panik te mësuesit, nxënësit e prindërit e këtyre të fundit.
Alarmi për bombë në shkollën “Vaçe Zela”, “Gustav Majer” dhe gjimnazin “Sami Frashëri” ka ngritur në këmbë policinë, e cila ka kryer verifikimet e ka kontrolluar zonën. Në përfundim të hetimeve, alarmi ka rezultuar fals.
Gazetarja e RTSH Rugova Dunisha në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH 24, bëri me dije se sapo janë njohur me emailin, shkollat kanë vënë në dijeni prindërit të cilët kanë shkuar kanë marrë fëmijët.
“Emaili u dërgua në 3 shkolla. Ishte email kërcënues për vendosjen e një bombe.
Drejtoresha e Shkollës ka lajmëruar prindërit dhe policinë. Kjo e fundit ka bërë verifikimet e mundshme dhe ka rezultuar se ishte alarm falso. Prindërit e alarmuar kanë mbërritur pranë shkollave dhe kanë marrë fëmijët. Janë frikësuar edhe prindërit dhe nxënësit.
Megjithatë pas këqyrjes së vendngjarjes nga policia, disa nga prindërit i kanë rikthyer fëmijët në shkolla”, tha gazetarja.
Kjo e fundit deklaroi më tej se dyshohet se emaili vjen nga ekstremistë dhe hackera iranianë dhe është dërguar në orën 04:00 të mëngjesit të së premtes (17 maj).
Në përmbajte të emailit ishin kërcënime për mësuesit e nxënësit të cilët do pengonin ekstremistët në kryerjen e misionit të tyre.
“Mendohet se është email që vjen nga ekstremistët dhe hackerat iranianë. Në orën 04;00 të mëngjesit të ditës së sotme.
Ky alarm vjen në vazhdën e sulmet kibernetike që kanë prekur vendin tonë.
Megjithatë duhet pritur verifikimi i policisë për të mësuar rreth dinamikës së ngjarjes dhe kush fshihet pas tyre. Emaili ka pasur në përmbajtje ekstremizëm fetar ku kërcënoheshin mësuesit, fëmijët të cilët do i pengonin ekstremistët të kryenin misionin e tyre. Megjithatë mbetet në kuadër të sulmeve kibernetike ndonëse duhet pritur rezultati përfundimtar i hetimeve nga policia”, sqaroi gazetarja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



