Nga vëllezërit Duka te Bami dhe Avdylajt, lëshohen 43 urdhërarreste! Gazetarja jep detaje nga operacioni

Aktualitet | 2 vite më parë

Prej disa orësh tashmë vijon aksioni i Policisë së Shtetit, RENEA-s dhe FNSH-së për ekzekutimin e vendimeve të GJKKO-së për personazhe të njohura të botës së krimit në vend.

43 urdhërarreste janë lëshuar për disa emra të njohur nga policia, 9 prej të cilëve janë zbatuar.

Gazetarja e RTSH, Lusi Përgjegji, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e RTSH24 bëri me dije se aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit të së premtes (17 maj) dhe është shtrirë në disa qytete, sikurse në Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël dhe Kurbin.

“Po ashtu janë lëshuar urdhërarreste për persona të njohur të botës së krimit, duke nisur nga Erlis dhe Leonard Duka të cilët janë të njohur për armiqësinë që kanë patur me Ervis Martinajn. Po ashtu dhe vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli dhe vëllezërit Bami. Urdhër arrest është dhënë edhe për Lulzim Berishën dhe për 2 persona që ndodhen në Spanjë”, bëri me dije gazetarja.

Operacionet vijnë pas hetimeve në kuadër të operacionit të nisur prej vitesh, “Metamorfoza”.

Prokurori që ka zyrtarizuar urdhërarrestet është Alfred Shehu. Personat e njohur të botës së krimit kanë dalë në bisedat, pas zbërthimit nga Encro Chat aplikacionit të njohur.

“Janë intensifikuar hetimet e SPAK dhe kanë zbardhur në dritë shumë persona të botës së krimit. Aplikacioni SKY u përdor masivisht nga bandat e krimit për të komunikuar për pazare droge dhe urdhëruar vrasje. Sipas një investigimi të bërë nga EUROPOL u dëshmuan të gjitha dhe rezultoi se SKY nuk ishte i sigurt, por që kontrollohej nga EUROPOL dhe FBI”, tha gazetarja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme