Alibeaj reagon për vrasjen e efektivit të policisë : Kambanë alarmi për sigurinë publike

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, me anë të një postimi në Facebook, ka reaguar për vrasjen e efektivit të policisë në qytetin e Fierit, Novruz Cenalia.
Deputeti demokrat, Alibeaj shprehet se ky është një sinjal i dyfishtë dhe një kamban alarmi për brishtësinë që ka siguria publike.
“Vrasja e efektivit të policisë në mes të ditës në qytetin e Fierit, është tregues i brishtësisë që ka rendi dhe siguria publike në Shqipëri.Goditja ndaj punonjësve të rendit publik është një sinjal i dyfishtë dhe një kambanë alarmi shqetësuese për qytetarët e zakonshëm rrugëve të vendit, të cilët janë të pambrojtur dhe nuk e dinë me kë përballen” shkruan Alibeaj.
Deputeti i PD, i bën thirrje organeve kompetente të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e rëndë dhe përgjegjësi të dalë përpara drejtësisë.
Sakaq ai thekson se, njerëz të armatosur qarkullojnë lirshëm në të gjithë vendin dhe kjo është detyrë e organeve ligjzbatuese për të mbrojtur dhe siguruar rendin.
“Partia Demokratike e Shqipërisë i kërkon organeve kompetente të zbardhin sa më shpejt ngjarjen e rëndë të ndodhur në qytetin e Fierit dhe kërkojnë që përgjegjësi të dalë përpara drejtësisë.Veç të tjerash, rendi dhe siguria publike janë një ndër shkaqet e largimit të njerëzve nga Shqipëria, ndaj Partia Demokratike e Shqipërisë garanton të gjithë qytetarët shqiptarë se në programin e saj qeverisës rendi dhe siguria publike do të kenë prioritete absolute, duke forcuar policimin në komunitet dhe bashkërendimin e një sërë institucioneve së bashku për të minimizuar ngjarje të tilla”, shkruan Alibeaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




