Australia miraton pr.ligjin për ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç

Parlamenti i Australisë ka miratuar ligjin e parë botëror që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa ka vënë në dijeni kompanitë e teknologjisë për të forcuar sigurinë.
Miratimi nga senati është bërë këtë të enjte ( 28 nëntor), ditën e fundit të seancës së vitit, dhe erdhi pas disa muajsh debat intensiv publik.
Sipas ligjit të ri, kompanitë e teknologjisë duhet të ndërmarrin “hapa të arsyeshëm” për të parandaluar përdoruesit e mitur nga aksesi në shërbimet e mediave sociale ose do të përballen me gjoba prej afro 50 milionë dollarë australianë (32 milionë dollarë).
Ndalimi pritet të zbatohet për aplikacionet Snapchat, TikTok, Facebook, Instagram, Reddit dhe X, por kjo listë mund të zgjerohet.
Kryeministri Anthony Albanese u tha ligjvënësve se “çdo qeveri serioze” po përballej me ndikimin e mediave sociale tek të rinjtë dhe udhëheqësit me të cilët ai kishte folur e kishin duartrokitur iniciativën e Australisë për këtë çështje.
“Ne e dimë se mediat sociale mund të jenë një armë për ngacmuesit, një platformë për presionin e bashkëmoshatarëve, një nxitës ankthi, një mjet për mashtruesit. Dhe më e keqja nga të gjitha, një mjet për grabitqarët në internet”, tha ai në Parlament.
Qeveria është përballur me kritika të konsiderueshme për shpejtësinë e legjislacionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




