Gjermania përballë zgjedhjeve të parakohshme, shpërbëhet koalicioni qeveritar

Botë | 2 vite më parë

Kancelari gjerman Olaf Scholz thotë në mes të një krize të thellë koalicioni se ai do të kërkojë një votëbesimi më 15 janar që mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në mars. Ai shkarkoi të mërkurën ministrin e tij Financave Christian Lindner, pasi siç u shpreh nuk kishte më asnjë bazë besimi, duke e bërë të pamundur bashkëpunimin mes tyre. 

“I kërkova Presidentit shkarkimin e Ministrit të Financave. E shoh të domosdoshme këtë hap për të shmangur dëmin ndaj vendit tonë. Ne kemi nevojë për një qeveri funksionale, që ka forcën për të marrë vendimet e nevojshme për vendin tonë.“, deklaroi kancelari gjerman Olaf Scholz.

Kancelari socialdemokrat tha se e shkarkoi ministrin Lindner për shkak të pengesave shkaktuar prej tij lidhur me mosmarrëveshjet buxhetore, ndersa e kritikoi ashpër zëvendëskancelarin 45-vjeçar nga partia liberale, duke e akuzuar për sjellje të papërgjegjshme në një kohë që ekonomia më e madhe e Evropës ndodhet në një moment kritik.

 “Shumë shpesh, kompromiset e nevojshme u bllokuan nga mosmarrëveshjet e inskenuara publikisht, ndërsa ministri Federal Lindner ka bllokuar ligjet në një mënyrë të njëanshme. Nuk ka më themel për besim për ta vazhduar bashkëpunimin”, u shpreh më tej Scholz.

Kancelari gjerman shtoi se po kërkon mbështetjen e kreut të konservatorëve në opozitë Friedrich Merz për miratimin e buxhetit dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ku parashikohet edhe një paketë ndihme për Ukrainën.

Vetë ministri Lindner tha se masat e propzuara nga Scholz nuk i shërbenin rritjes se ekonomisë gjermane. Ndërsa partia Liberale tha se do t’i tërheqë të gjithë ministrat nga qeveria. Ndërkohe partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë e mirëpriti prishjen e koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz, duke e cilësuar atë si një çlirim të shumëpritur për vendin.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme