Australia ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, kryeministri: Po i bëjnë shumë dëm

Qeveria australiane ka marrë një vendim që ndalon fëmijët nën 16 vjeç për të hyrë në mediat sociale. Ndërsa kritikat ndërkombëtare rriten se gjigantët e internetit nuk po mbrojnë në mënyrë të duhur përdoruesit e tyre vulnerabël, qeveria australiane thotë se është e vendosur t’i japë fund aksesit për fëmijët nën 16 vjeç.
“Është një masë për nënat dhe baballarët. Rrjetet sociale po u bëjnë shumë dëm fëmijëve dhe vendosa t’i jap fund”, tha kryeministri australian Anthony Albanese.
Në shtator, kryeministri australian njoftoi se synonte të merrte masa për të kufizuar përdorimin e mediave sociale nga të miturit, por në atë kohë ai nuk përmendi një kufi specifik moshe.
Albanezi shtoi se masa do t’i paraqitet kryeministrave të shteteve këtë javë përpara se të kalojë në parlament për votim në fund të muajit.
Kur do të hyjë në fuqi ndalimi i aksesit në internet?
Projektligji do të hyjë në fuqi 12 muaj pasi të miratohet nga deputetët dhe nuk do të parashikojë përjashtime për fëmijët që kanë lejen e prindërve ose kujdestarëve për të patur një llogari në rrjetet sociale, as për ata që tashmë e kanë një llogari.
Bizneset e teknologjisë dhe mediat sociale do të jenë përgjegjëse për t’u siguruar që përdoruesit e tyre janë mbi 16 vjeç ose do të përballen me ndëshkime.
“Përgjegjësia nuk është e prindërve dhe as e të rinjve. Nuk do të ketë penalitete për përdoruesit”, theksoi Albanese.
Kryeministri i Australisë ka thënë se algoritmet e mediave sociale po u tregojnë fëmijëve dhe adoleshentëve përmbajtje të papërshtatshme.
“Ka gjëra që shfaqen në telefonin tim që nuk dua t’i shoh. Imagjinoni një fëmijë 14-vjeçar të pambrojtur,” shpjegoi ai.
Përveç kësaj, Albanese iu referua edhe rreziqeve për shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve nga përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale dhe veçanërisht rreziqet për vajzat që ekspozohen ndaj imazheve me standarde trupore irracionale apo përmbajtje mizogjene.
Meta, filiali i Instagram dhe Facebook, ka njoftuar se do të zbatojë “çdo limit moshe që qeveria dëshiron të vendosë”.
Por Antigoni Davies, menaxherja globale e sigurisë së Facebook, tha se Australia duhet të mendojë seriozisht se si do të zbatohen këto kufizime.
Megjithatë, disa ekspertë dyshojnë nëse është teknikisht e mundur vendosja e një mase të tillë.
“Ne e dimë tashmë se metodat ekzistuese të identifikimit të moshës janë jo të besueshme, shumë të lehta për t’u anashkaluar ose komprometuar privatësinë e përdoruesit,” vuri në dukje Toby Murray nga Universiteti i Melburnit.
Shumë vende dhe rajone kanë vendosur të miratojnë një kufi moshe për të hyrë në mediat sociale. Në shtetin amerikan të Floridës , në janar hyri në fuqi një ligj që ndalon fëmijët nën moshën 14 vjeç të kenë një llogari në këto platforma.
Spanja miratoi një ligj në qershor që ndalon aksesin e fëmijëve nën 16 vjeç në mediat sociale. Në të dyja rastet, mënyra e konfirmimit të moshës së përdoruesve nuk është përcaktuar ende. Në Francë, një ligj i miratuar në vitin 2023 vendosi moshën e “pjekurisë dixhitale” në 15 vjeç, por ai ende nuk ka hyrë në fuqi në pritje të një vendimi nga Komisioni Evropian nëse është në përputhje me ligjin evropian.
Kina po kufizon aksesin e të miturve në mediat sociale nga viti 2021 dhe u kërkon përdoruesve të verifikojnë moshën e tyre me ID. Përveç kësaj, fëmijët nën moshën 14 vjeç nuk mund të përdorin Douyin, versionin kinez të TikTok, për më shumë se 40 minuta në ditë, ndërsa koha që fëmijët dhe adoleshentët mund të kalojnë në internet është e kufizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




