Miratoi ligjin për agjentët e huaj, BE ndal procesin e pranimit të Gjeorgjisë

Bashkimi Evropian njoftoi këtë të martë(9 korrik) se ka ndalur procesin e pranimit të Gjeorgjisë dhe ka ngrirë 30 milionë euro ndihmë për Ministrinë gjeorgjiane të Mbrojtjes, pasi ligjvënësit e këtij shteti miratuan një ligj që është parë si masë për të shtypur disidencën.
Ambasadori i BE-së në Gjeorgji, Paëel Herczynski, u tha gazetarëve në Tbilisi gjatë një ngjarjeje më 9 korrik se blloku po shqyrton masa të mëtejme nëse situata në Gjeorgji “përkeqësohet edhe më shumë”.
Herczynski tha se ky vendim është në përgjigje të Ligjit kundërthënës për “agjentët e huaj”, i njohur edhe si Ligji për transparencë të ndikimit të huaj, por edhe për shkak të hapave të fundit antidemokratikë që ka ndërmarrë Qeveria gjeorgjiane.
I cilësuar si “ligji rus” nga protestuesit gjeorgjianë, për shkak të ngjashmërive me një ligj në Rusi që i ka mundësuar Kremlinit të burgosë, gjobisë dhe margjinalizojë disidencën, zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar të ketë “ndikim negativ në rrugën e Gjeorgjisë drejt BE-së”.
Edhe Uashingtoni ka njoftuar për ndalesa të udhëtimeve dhe “rishqyrtim” të raporteve dypalëshe, për shkak të ligjit.
Javën e kaluar, SHBA-ja po ashtu njoftoi se ka shtyrë mbajtjen e stërvitjeve të planifikuara me Gjeorgjinë, të cilat janë mbajtur rregullisht që nga viti 2016.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



