Spanja i beson drejtësisë, Kërkon t’i bashkohet Afrikës së Jugut në rastin gjyqësor kundër Izraelit

Botë | 2 vite më parë

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që të mbështesin Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në zbatimin e masave të përkohshme kundër Izraelit.  “Duke pasur parasysh dështimin e qeverisë izraelite për të respektuar kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të ndalur luftën dhe në mbështetje të respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kombeve të Bashkuara, ne ndërhyjmë në procedurën e nisur nga Afrika e Jugut”, tha Sanchez.

“Spanja do të qëndrojë në anën e duhur të historisë”, shtoi kryeministri spanjoll. Komentet e tij erdhën pasi më herët ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares njoftoi vendimin e Madridit për t’iu bashkuar çështjes së gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit. “Ne e morëm vendimin për shkak të operacionit të vazhdueshëm ushtarak në Gaza.

Ne duam që paqja të kthehet në Gazë dhe në Lindjen e Mesme. Që kjo të ndodhë, ne të gjithë duhet ta mbështesim gjykatën”, tha të enjten në Madrid, ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares.  Afrika e Jugut e paraqiti rastin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në fund të vitit të kaluar, duke pretenduar se Izraeli po e shkel konventën e gjenocidit, në luftën në Gaza. Meksika, Kolumbia, Nikaragua, Libia dhe palestinezët kanë kërkuar tashmë t’i bashkohen çështjes që po shqyrtohet aktualisht në gjykatën në Hagë të Holandës. 

GjND e urdhëroi Izraelin më 24 maj që të ndalë ofensivën menjëherë ushtarake në Rafah, në jug të Gazas, ku mbi 1 milionë banorëve të zhvendosur nga veriu i enklavës iu kërkua përsëri të zhvendosen.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme