Gjendje e jashtëzakonshme në Kaledoninë e Re, Franca dërgon përforcimet

Qindra ushtarë dhe policë të armatosur nga Franca u nisën të premten për të kthyer normalitetin në Kaledoninë e Re, një ishull në Oqeanin Paqësor, i cili është kolonizuar nga francezët që në shekullin XIX.
Shkak për trazirat e fundit u bë plani i Francës për të ndryshuar rregullat e votimit në vend.
Të premten paradite, arkipelagu me rreth 270 mijë banorë u zgjua mes flakëve dhe tymit të mbetur nga trazirat e një dite më parë. Një qendre tregtare iu vendos zjarri së bashku me disa godina, ndërsa dhjetëra makina mbetën të djegura. “Midis 80 dhe 90 për qind e rrjetit të shpërndarjes së ushqimeve është ‘fshirë’,” tha presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, David Gujene (o. Guyenne).
Dy xhandarë u vranë me armë zjarri dhe mes viktimave ishin edhe tre banorë indigjenë të moshave nga 17 në 36 vjeç.
Forcat e sigurisë kanë vendosur nën arrest shtëpie 10 aktivistë, të cilët kanë protestuar për pavarësimin nga Franca, si fajtorë për organizimin e akteve të dhunës.
Franca akuzon Azerbajxhanin për ndërhyrje
Franca nuk ka dyshime se Azerbajxhani po rrit tensionet në Kaledoninë e Re përmes një fushate keqinformuese.
Sipas Parisit, flamujt e Azerbajxhanit po shfaqen krahas simboleve kanake në protesta, ndërsa një grup i lidhur me autoritetet azerbajxhanase ka mbështetur hapur separatistët.
“Kjo nuk është fantazi. Është realitet,” iu përgjigj kryeministri Zherald Darmani (o. Gérald Darmanin) pyetjes nëse Azerbajxhani, Kina dhe Rusia po ndërhyjnë në Kaledoninë e Re.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit i ka hedhur poshtë “akuzuat e pabaza” dhe “çdo lidhje midis liderëve të rebelimit për liri në Kaledoni dhe Azerbajxhan”.
Rregullat e votimit
Në disa referendume që janë mbajtur, banorët e Kaledonisë së Re e kanë refuzuar pvarësimin nga Franca. Por problemi mbetet më banorët kanakë, të parët e të cilëve kanë jetuar në ishull prej mijëra vjetësh.
Megjithëse u kolonizua nga Franca në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Kaledonia e Re ka një status të veçantë. Këtë javë parlamentarët francezë treguan se kanë në plan të lejojnë personat e shpërngulur në vend 10 vite më parë që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas forcave propavarësiste, kjo do ndikonte keq në votat e kanakëve, që përbëjnë rreth 40 për qind të popullsisë.
Presidenti Emanuel Makron (o. Emmanuel Macron) ka thënë se parlamenti do e miratojë ndryshimin në kushtetutë deri në fund të qershorit nëse nuk arrihet një marrëveshje tjetër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




