Dëbimi i azilkërkuesve, Britania nis zbatimin e planit të Ruandës

Ashtu siç ishte paralajmëruar, në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur ndalimi i emigrantëve që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme. Qeveria britanike konfirmoi të mërkurën se kishte ndaluar disa emigrantë, por pa specifikuar një numër të saktë, për t’i dëbuar ata në Ruandë në muajin korrik, sipas politikës së saj të re për sigurinë.
“Emigrantët e parë të paligjshëm që do të dërgohen në Ruandë tashmë janë arrestuar”, tha Ministria e Brendshme britanike. Duke e quajtur atë një tjetër moment historik në zbatimin e planit të Ruandës, kjo ministri publikoi pamje nga operacionet.
Një anëtar i lartë i kabinetit qeveritar tha më herët se qeveria priste që Brenda vitit të deportonte 5700 emigrantë në vendin afrikan. Operacionet zhvillohen një javë pasi ligjvënësit britanikë u dhanë fund mosmarrëveshjeve dhe miratuan një ligj që lejonte deportimin e azilkërkuesve duke e shpallur Ruandën si një vend të tretë të sigurt.
Legjislacioni i ri anashkaloi një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit të kaluar, që argumentonte se dërgimi i emigrantëve në atë vend ishte i paligjshëm, pasi atyre mund t’u rrezikohej jeta. Kryeministri britanik Rishi Sunak e ka shpallur objektiv kyç ndalimin e hyrjes së emigrantëve me varka të vogla nga Europa.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




