Guvernatori Sejko: Nuk ndryshon norma bazë e interesit, janë rritur pagat dhe është shtuar punësimi

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi të mërkurën se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për garantimin e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, ndaj vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, për lekun në nivelin 3.25 %.
Lajmi u bë i ditur nga Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko në një konferencë shtypi. Sipas tij, të pandryshuara mbeten edhe normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 2.25 % dhe 4.25 %.
“Këshilli Mbikëqyrës vëren se qëndrimi aktual i politikës monetare është e qëndrueshme me pritjet tona të skenarit bazë”, tha Sejko.
Guvernatori theksoi se vendimet e politikës monetare do të orientohen drejt respektimit të objektivit të BSH-së për stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike.
“Këshilli Mbikëqyrës thekson se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë të orientuara drejt respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe qëndrueshmëri me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit”, deklaroi guvernatori Sejko.
Sipas tij, edhe punësimi është në rritje dhe po ashtu edhe pagat.
“Inflacioni i çmimit të produkteve të konsumit ka pësuar rënie. Ky inflacion në rënie është bazuar në atë që ndodh në rajon dhe në Evropë. Presionet e brendshme inflacioniste janë më të qëndrueshme. Rritja ekonomike ka ardhur nga përshpejtimi i rritjes së investimeve publike, nga ambienti stimulues financiar dhe pritjet pozitive për të ardhmen. Punësimi në ekonomi u rrit me 0.6 përqind, po ashtu edhe pagat në sektorin privat. Zgjerimi i punësimit dhe rritja e pagave ka rritur ekonominë. Tregjet financiare paraqiten të sigurta. Kredia për sektorin privat është zgjeruar akoma më shumë. Rritja ekonomike do të gjejë mbështetje në shëndetin financiar të kompanive private”, deklaroi guvernatori Sejko.
Në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi edhe disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen operacionale të BSH-së dhe përmbushjen e kërkesave rregullative.
Këshilli Mbikëqyrës miratoi pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023.
Pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023, sipas njoftimit për shtyp, janë hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF). Këto pasqyra janë audituar nga Ernst & Young – Ekspertë Kontabël të Autorizuar, Dega në Shqipëri, dhe së bashku me raportin e audituesit të pavarur, janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023.
“Në mbyllje të vitit 2023, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë është rreth 761 miliardë lekë. Peshën kryesore në totalin e aktiveve e zënë investimet në tituj të borxhit me rreth 64% si dhe balancat me banka, pjesë e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, me rreth 17%. Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi raportin gjashtëmujor për ecurinë e “Kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara”-MREL. Ky është raporti i parë i hartuar për këtë qëllim që përmbledh zhvillimet kryesore të sektorit bankar në terma të përmbushjes së “Kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara” (MREL). Këshilli konstatoi se zhvillimet e sektorit bankar për periudhën 2021-2023 reflektojnë kapacitet të kënaqshëm për përmbushjen e kërkesave rregullative, mbështetur në pozicionin e fortë të kapitalizimit, emetimin me sukses të titujve të borxhit në tregun e kapitalit në Shqipëri dhe nënshkrimin e titullit të parë financiar të MREL në Ballkan me institucionet ndërkombëtare financiare.”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




