Abuzim me fondet, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-Presidentin dhe zv.presidenten e Urdhrit të Stomatologëve

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-Presidentin e Urdhrit të Stomatologut Nikoll Deda dhe zv.presidenten e USSH-së për veprat penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar sipas Prokurorisë se ish-Presidenti i USSH ka shpërdoruar fondet duke rritur buxhetin e ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga viti në vit për përfitime personale.
“Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, shtetasi N.D. ka kryer veprime duke paguar dhe shpërdoruar fondet e Urdhërit të Stomatologut, pa justifikimet përkatëse si dhe në raste të caktuara ka tjetërsuar fonde në forma biletash apo pagesash fiktive në favor të familjarëve të tij apo të të tretëve, duke u bërë subjekt i veprave penale te “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, të parashikuar nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ish-Presidenti i Urdhrit të Stomatologëve ka lejuar punësimin e familjarëve të tij me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.
Por ndonëse u mor i pandehur, sipas Prokurorisë, ai ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.
Ndrësa zv.presidentja e USSH, nga hetimet e kryera, ka rezultuar se ka marrë vendime financiare për buxhetin e vitit 2024 në kundërshtim me kompetencat e saj, duke vendosur të autorizojë zbatimin e buxhetit të përkohshëm në një periudhë të caktuar kohore.
“Shtetasja A. G. u emërua si zv.Presidente e USSH në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë nr.1537, datë 07.02.2020, ku Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka qenë nën masë sigurimi. Kj shtetase ka autorizuar zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë që fillon nga dita e parë e vitit buxhetor deri në fund të muajit të tretë të tij ku shpenzimet nuk duhet të tejkalojnë 1/12 e shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin buxhetor paraardhës dhe ka autorizuar vazhdimin e buxhetit të përkohshëm duke u bërë subjekt i kryerjes së veprave penale të “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” të parashikuara nga nenet 248 dhe 321 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
Ish-Presidenti i Urdhrit të Stomatologëve u arrestua dy muaj më parë për 3 vepra penale: “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, ndërsa ekzistonte rreziku që të prishte provat e të largohej.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




