Agim Baçi në “3D”: Strategjia e Veliajt synon deligjitimimin e procesit, akuzat ndaj prokurorit janë “teknikalitete”
Analisti Agim Baçi ka lëshuar kritika ndaj qasjes ligjore dhe morale të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me padinë e këtij të fundit ndaj prokurorit të çështjes, Olsi Dado. Gjatë diskutimit në emisionin “3D” në RTSH, Baçi e cilësoi lëvizjen e mbrojtjes si një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga akuzat kryesore.
Sipas Baçit, fakti që Veliaj ka munguar në seancat ku gjykohen akuzat kundër tij, por zgjedh të jetë i pranishëm vetëm kur gjykohet ankimimi për kriteret e emërimit të prokurorit Dado, ngre dyshime mbi sinqeritetin e procesit.
“Mbrojtja bën gjithnjë përpjekje për të deligjitimuar procesin, prokurorët dhe gjykimin,” u shpreh analisti, duke shtuar se pretendimet për konflikt interesi apo mungesë kualifikimi të prokurorit nuk kanë kuptim të ngrihen vetëm në momentin kur personi merret në hetim. Për Baçin, këto akuza humbasin peshën e tyre morale kur bëhen si kundërpërgjigje ndaj një mase sigurimi.
Institucionet përballë interesave personale
Analisti theksoi se stabiliteti i institucioneve të drejtësisë nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga interesat individuale të politikanëve. Ai u bëri thirrje gjykatave që të veprojnë me shpejtësi maksimale për të zgjidhur si çështjen e paraburgimit të Veliajt, ashtu edhe ankesën ndaj prokurorit Dado, në mënyrë që të mos lihet hapësirë për interpretime politike.
“Për interesa personale nuk mund të rrëzohen institucione,” nënvizoi Baçi, duke shtuar se përgjegjësia publike kërkon llogaridhënie të plotë përpara ligjit.
Në analizën e tij, Baçi bëri një dallim të qartë mes procedurave administrative të emërimit të një prokurori dhe thelbit të dosjes hetimore për të cilën akuzohet kreu i Bashkisë. Sipas tij, opinioni publik nuk duhet të fokusohet te teknikalitetet e emërimit të prokurorit, duke harruar akuzat bazë.
“Jam kundër gjyqeve popullore, por çështja Dado është shumë më e vogël krahasuar me ato për të cilat akuzohet Veliaj,” përfundoi analisti, duke vënë në dukje se nëse Tirana po qeveriset keq apo ka probleme me postet drejtuese, kjo mbetet sërish një përgjegjësi direkte e kryetarit të zgjedhur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




