“Ahengu shkodran 2025”, eventi mblodhi artistë dhe dashamirës të muzikës së vjetër
“Ahengu shkodran 2025”, eventi mblodhi artistë dhe dashamirës të muzikës së vjetër
Në një nga pikat më të frekuentuara të qendrës së qytetit në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, u zhvillua edicioni i 13-të i “Ahengut Shkodran”, eventi tashmë i kthyer në traditë, që mblodhi dhjetëra qytetarë dhe dashamirës të muzikës së vjetër shkodrane.
“Ishte risi që këtë vit e sollëm ahengun shkodran në zemër të Shkodrës, aty ku gjithmonë janë bërë ato xhirot e mbrëmjes nën meloditë e muzikës shkodrane”, tha udhëheqësi artistik, Bardhyl Hysa.
Grupi “Karajfilat që ka Shkodra” shoqëroi artistët me interpretimet e tyre, duke sjellë atmosferën e vërtetë të ahengut. Udhëheqësi artistik Bardhyl Hysa vlerësoi rolin e këngës popullore, duke e cilësuar atë një nga simbolet më të rëndësishme të qytetit.
Mjeshtri Ilir Zoga ndali vëmendjen tek dy momente të veçanta që i paraprinë këtij edicioni: botimi i librit nga Fahri dhe Esmerald Djepaxhija dhe ndarja nga jeta e ashikut të ahengut, Agim Molla.
“E para është një gjë pozitivë se i shtohet arkivës së qytetit një libër. Fatkeqësisht, ne humbën një këngëtar mjaft të denjë të ahengut, ose mund të them i fundit i brezit të tij”, tha Zoga.
Emocione të veçanta përjetoi edhe këngëtarja shkodrane Albana Fani, e cila erdhi posaçërisht nga SHBA për të marrë pjesë në këtë event.
“Gjithmonë kur vij në Shkodër, është një emocion i veçantë. Ishte kënaqësi që u ftova të jem pjesë e këtij ahengu”, tha këngëtarja.
Organizuar nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” nën kujdesin e Bashkisë Shkodër, “Ahengu Shkodran” do të transmetohet i plotë në rrjetin e RTSH në ditët në vazhdim.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




